Universiteti Tulane në Nju Orlins filloi evakuimin e studentëve herët të martën drejt qytetit Hjuston të Teksasit dhe do të mbyllë dyert për dy javë pasi uragani Ida dëmtoi rrjetin elektrik të qytetit.
Studentëve iu kërkua të linin kampusin e universitetit deri në orën 5 pasdite, ndërsa autobusët evakuuan ata që ishin të gatshëm. Universiteti tha se studentët do të qëndrojnë në Hjuston, me ushqim dhe strehim të siguruar nga universiteti, derisa vetë studentët të mund të prenotojnë bileta fluturimi për në shtëpitë e tyre.
“Arsimimi do të rifillojnë përmes internetit nga 13 shtatori deri të më 6 tetor, për t’i dhënë qytetit kohë për të riparuar rrjetin elektrik dhe shërbimet e tjera kritike”, tha universiteti në një deklaratë.
Më shumë se 1 milion njerëz nuk kanë energji elektrike në Luiziana, përfshirë Nju Orlinsin, qyteti më i populluar i atij shteti, si dhe në shtetin Misisipi, pasi uragani i kategorisë 4 goditi vendin. Kompania e shërbimeve elektrike Entergy tha se 8 linjat e transmetimit që ushqejnë qytetin Nju Orlins janë jashtë shërbimit, ndërsa një shtyllë e tensionit të lartë ka rënë në lumin Misisipi.
Autoritetet thanë se mund të duhen ditë, madje edhe javë, para se të rikthehet plotësisht energjia, duke ngritur shqetësime të mëtejshme për mundësinë që banorët të sëmuren nga temperaturat e larta në fund të verës, ndërsa parashikohet se tempartura këtë javë mund të shkojë deri në 32 gradë Celsius./VOA
g.kosovari