Juventus zbarkon në Shqipëri. Fjala është për ekipin e futbollit të femrave, që do të luajë ndeshjen e parë të play-off me Vllazninë.
Vajzat bardhezi vijnë me ambicie, për të kaluar për herë të parë në grupet e Women Champions League, një sukses që natyrisht e kërkojnë edhe vajzat shkodrane.
Trajneri i ekipit të Juventusit, Joe Montemurro, pohoi se Vllaznia është ekip i fortë dhe ka eksperiencë në kupat e Evropës.
“Luajmë me ekipin kampion të Shqipërisë dhe natyrisht nuk ka asnjë nënvlerësim. E kemi parë lojën e tyre dhe është një ekip që të hap probleme. Fakti që luajmë ndeshjen e kthimit të Torino, nuk do të thotë asgjë, do të luajmë fort në të dyja sfidat” – u shpreh tekniku italian.
Është hera e parë që Juventus kërkon të marrë pjesë në Grupet e Ligës së Kampioneve dhe për këtë trajneri Montemurro kërkon vlerësim ndeshjeve me Vllazninë.
“Kalimi në grupet e Women Champions League do të ishte sukses për klubin, për ambientin dhe tifozët. Emri Juventus është i madh dhe prandaj do të përpiqemi të japim më të mirën.”
Edhe Vllaznia është gati për t’u përballur me Juventus. Ekipi shkodran e vajzave arriti një sukses historik, duke u kualifikuar mes 32 skuadrave më të mira në Champions. Trajneri Nikolin Leka thotë se skuadra është gati.
“Juventus është një emër i madh i futbollit, ndeshje që do të jenë me pëgjegjësi. Ne jemi përgatitur për të bërë më të mirën dhe shpresojmë të marrim rezultat. Edhe ne dëshirojmë të hyjmë në grupe, të tjerat ia lëmë fushës së lojës.”
Ndeshja e parë Vllaznia-Juventus do të luhet të mërkurën në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 19:00, ndërsa ndeshja e kthimit pas një jave në Torino.