Ndërkohë që në Kabul, talebanët pozonin me mjetet ushtarake të lëna pas nga amerikanët, në veri të kryeqytetit, të strehuar brenda fortesës së tyre, luftëtarët e rezistencës vijonin stërvitjen.
Në fotot e publikuara nga AFP, shihen pjesëtarët e mbetur të forcave të sigurisë së Afganistanit, të vendosur në krahinën Panjshir.
Kjo luginë, e shtrirë në malet Hindu Kush, është e vetmja zonë në Afganistan që nuk është nën kontrollin e Talebanëve.
Luftëtarët shihen teksa kryejnë stërvitje sipas programit të Forcave Speciale Britanike (SAS), duke mbajtur mbi supe trungje të mëdhenj teksa ecin nëpër pellgje me ujë, si dhe duke u stërvitur në qitje, në pritje të mbërritjes së armikut.
Deri tani, numri i luftëtarëve të rezistencës – të quajtur Aleanca e Veriut – mendohet se është disa qindra, të cilët janë të vendosur të mbrojnë 170 mijë banorët e luginës.
Lugina Panjshir është aktualisht e vetmja provincë e Afganistanit që ende u reziston talebanëve. Rezistenca atje udhëhiqet nga djali i Ahmad Shah Massoud, i pagëzuar nga Perëndimi në vitet 1980, si “Napoleoni” i Afganistanit.
Edhe pse qeveria e Afganistanit u shkërmoq për një ditë, pavarësisht investimit miliarda dollarë të Perëndimit për 20 vjet rresht dhe një force të madhe ushtarake që kishte në dispozicion, ka një zonë që nuk ka rënë ende në duart e talebanëve dhe që mund të mos bjerë kurrë, shkruan Gazeta SHQIP.
Bëhet fjalë për Luginën e Panjshirit, aty ku ka nisur edhe rezistenca e mijëra personave. Luftëtarët në këtë zonë janë gati për luftë, edhe pse fillimisht do synojnë negociatat paqësore.
Një zëdhënës i forcave anti-talebane që u mblodhën në rajonin e Luginës Panjshir të Afganistanit tha se grupi synon të “ndjekë paqen dhe negociatat para se të fillojë një luftë apo konflikt të ri”.
Djali i “luanit të Panjshirit” drejton grupin anti-taleban
Ali Nazary, nga Fronti i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit, i tha BBC-së se mijëra luftëtarë ishin mbledhur në rajon nën drejtimin e Ahmad Massoud, djalit të udhëheqësit të famshëm anti-taleban, Ahmad Shah Massoud.
Nazary u bëri thirrje talibanëve të hyjnë në negociata “të sinqerta”, duke thënë se forcat e Masoud ishin “gati për rezistencë Problemi numër një është sistemi i centralizuar politik në vend”.
“Afganistani është një vend i përbërë nga pakica etnike“, tha ai. “Është një shtet multikulturor. Vendi ka nevojë për ndarjen e pushtetit, një marrëveshje për ndarjen e pushtetit ku të gjithë e shohin veten në pushtet … Nëse një forcë politike, kushdo qoftë ajo, përpiqet të dominojnë politikën, ajo thjesht do të krijojë kushtet për luftën e brendshme dhe vazhdimin e konfliktit aktual “.
Në një artikull për Washington Post javën e kaluar, Ahmad Massoud u zotua të “mbrojë Panjshir si bastioni i fundit i lirisë afgane” dhe u bëri thirrje vendeve perëndimore të “ndihmojnë kauzën e lirisë”.
Rezistenca e përjetshme e Luginës së Panjshirit
Shumica e banorëve të luginës i përkasin grupit etnik Taxhik, ndërsa shumica e talebanëve janë pashtunë.
Pas marrjes së shpejtë të pushtetit nga talebanët në Afganistan, Lugina Panjshir në veri është vendi i fundit që mund të ofrojë një rezistencë të vërtetë ndaj grupit ekstremist islamik. Rajoni, i vendosur 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, ka luajtur vazhdimisht një rol vendimtar në historinë ushtarake të Afganistanit.
Pozicioni i saj gjeografik e mbyll atë pothuajse plotësisht nga pjesa tjetër e vendit. Pika e vetme e hyrjes në rajon është përmes një kalimi të ngushtë të krijuar nga lumi Panjshir, i cili mund të mbrohet lehtësisht ushtarakisht, shkruan Gazeta SHQIP.
I famshëm për mbrojtjet e tij natyrore, rajoni i futur në malet Hindu Kush, nuk ra në duart e talebanëve gjatë luftës civile të viteve 1990, as nuk u pushtua nga sovjetikët një dekadë më parë. Shumica e banorëve, 150.000, i përkasin grupit etnik Taxhik.
Lugina Panjshir ishte ndër rajonet më të sigurta në vend gjatë kohës së qeverisë së mbështetur nga NATO nga 2001 deri në 2021.
Historia e pavarësisë së luginës ka qenë e lidhur ngushtë me Ahmad Shah Massoud, luftëtarin më të famshëm anti-taleban të Afganistanit, i cili udhëhoqi rezistencën më të fortë kundër grupit fundamentalist-islamik nga fortesa e tij në luginë deri në vrasjen e tij në 2001.
I lindur në luginë në vitin 1953, Ahmad Shah i dha vetes nofkën “Massoud” (“fatsjellësi”) në 1979-ën. Ai vazhdoi t’i rezistojë qeverisë komuniste në Kabul dhe Bashkimit Sovjetik në atë kohë, duke u bërë përfundimisht një nga komandantët muxhahedinë më me ndikim në vend. Pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik në 1989-ën, shpërtheu lufta civile në Afganistan, të cilën talebanët e fituan përfundimisht.
Sidoqoftë, Massoud dhe Fronti i tij i Bashkuar (i njohur gjithashtu si Aleanca Veriore) arritën të kontrollonin jo vetëm Luginën Panjshir, por pothuajse të gjithë Afganistanin verilindor deri në kufirin me Kinën dhe Taxhikistanin, duke mbrojtur kështu rajonin nga talebanët, shkruan SHQIP.
Massoud gjithashtu mbështeti Islamin konservator, por kërkoi të ndërtonte institucione demokratike dhe personalisht besonte se grave duhet t’u jepet një vend i barabartë në shoqëri. Qëllimi i tij ishte një Afganistan i unifikuar në të cilin kufijtë etnikë dhe fetarë do të ishin më pak të qartë. Sidoqoftë, organizata Human Rights Ëatch akuzoi trupat e Massoud për shkelje masive të të drejtave të njeriut në betejën për Kabulin gjatë luftës civile. Në vitin 2001, Massoud u vra nga militantët e dyshuar të al-Kaedës.
Tani, djali i Ahmad Shah Massoud, Ahmad Massoud, thotë se shpreson të ndjekë “gjurmët e babait”. Massoud, i cili i ngjan shumë babait të tij në pamje dhe zakone, komandon një milici në luginë. Ai tha se atij iu bashkuan ish-pjesëtarë të forcave speciale të vendit dhe ushtarë nga ushtria afgane “të neveritur nga dorëzimi i komandantëve të tyre”.
/m.j