589 leje ndërtimi janë miratuar nga bashkitë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke pësuar një rritje të ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT shumica e këtyre lejeve janë dhënë në Durrës dhe në Tiranë, si pasojë edhe e procesit të rindërtimit.
Shqipëria vijon të jetë një kantier ndërtimi, pasi ky sektor po njeh një zhvillim të shpejtë në 3 vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti prill-qershor janë miratuar gjithsej 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një rritje prej 66 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur u dhanë vetëm209 leje ndërtimi.
Paralelisht me numrin e lejeve është rritur me 68.8% edhe sipërfaqja e dhënë për ndërtim. Numri më i madh i lejeve është për ndërtesa të reja me qëllim banimi, me 252 të tilla nga prilli në qershor, dhe numri më i madh i ndërtimeve po ndodh në Durrës dhe Tiranë ku është i përqendruar edhe procesi i rindërtimit për të pastrehët e tërmetit të nëntorit të 2019. Lejet e tjera janë për hotele, qendra tregtare apo qendra industriale.
Vlera e përafërt e lejeve te ndërtimit për ndërtesa dhe punime inxhinierike në 6 mujorin e parë të këtij viti arriti në 49.7 miliardë lekë, duke pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.
Duke qenë se ndërtimi po përjeton një hov të madh, po shikohet edhe si drejtimi kryesor për të investuar, pasi sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e dytë janë dhënë 52.782 miliardë lekë kredi për ndërtimin, ku 90% e vlerës ishte në rrethin e Tiranës.
Shqiptarja.com