Një tjetër ambient për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit i shtohet qytetit të Tiranës. Sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Njësinë 3 të kryeqytetit ofron një hapësirë prej rreth 1200 metër katrorë sipërfaqe të shfrytëzueshme për gjithë familjen, ku përfshihet sistemim rruge me trotuar, parkim, gjelbërim, ndriçim dhe argëtim me lodra për fëmijë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pa nga afër kurorëzimin e këtij projekti.
“Ka qenë parim që çdo muaj në Bashkinë e Tiranës të kemi një kënd të ri lodrash. Kur mendoj se si filloi kjo punë me këndin e lodrave te liqeni, me president e me çudira, me politikanë me patllake e pistoleta, me polici, sherr e shamata, – shumë zhurmë për asgjë, – kupton që kur ne punojmë bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ne e ndajmë mendjen që do pengojmë njëri-tjetrin, se është Astiri, se është teatri, se është këndi i lodrave, se është Pazari, se është Kalaja, se është sheshi, se është Bulevardi, ne vetëm prishim punë. Kjo do të thotë që ne e paskemi në dorë vetë. Po të bashkëpunojmë, fitojmë të gjithë.
Kreu i Bashkisë u ka bërë thirrje edhe komuniteteve të tjera që të bashkohen, në mënyrë që në Tiranë të krijohen edhe të tjera ambiente të tilla çlodhëse dhe argëtuese.
“Mbi të gjitha është rritur vlera e pronës. Është ndryshe të vish të shesësh dhe të kërkosh me qira në një zonë e cila ka një park poshtë dhe ndryshe është, po i njëjti apartament, me po të njëjtat metra katrorë, por me një grumbull plehrash poshtë pallatit. Kështu që, edhe një njeri që ndoshta nuk i do këndet e lodrave dhe mund të jetë kundërshtari ynë politik, është bërë më i pasur thjesht duke ndenjur në shtëpi, ose duke na sharë në “Facebook”.
Veliaj informoi se me të tilla parqe dhe sheshe do të vijojë puna në të gjithë gjatësinë e Lanës.
/a.r