Parandalohet një vrasje në qytetin e Durrësit. 3 persona janë arrestuar, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Në pranga kanë rënë Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani; 35 vjeçari rezulton të ketë qenë pjesë e bandave kriminale të Durrësit prej shumë vitesh. Reoport Tv mëson se ai ka miqësi me Aleksandër Lahon, Rrumin e Shijakut, një emër njohur për botën e krimit, pas akuzave për rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitri. Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta persona janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. I arrestuar është edhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.
Tre arrestuarit sipas policisë dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës. I gjithë plani i tyre është shkatërruar në pak sekonda. Ata po qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMË”, me drejtues Aldi Mustafën. Në momentin e ndërhyrjes nga policia, të tre kanë tentuar të largohen duke goditur makinën e patrullave, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Por ndonëse policia në fillim të njoftimit thekson se 3 të arrestuarit mendohet se do të kryenin një vrasje, në fund nënvizon se akuza ndaj tyre është për armëmbajtje pa leje.
“Strukturat hetimore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë intensivisht punën hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, thuhet më tej në njoftimin e policisë. Operacioni i koduar “Misioni”, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës.
Aldi Mustafa është njëri prej të arrestuarve në Durrës së bashku me 2 të tjerë që dyshohet se do të kryenin vrasje, rezulton të ketë qenë pjesë e bandave kriminale të Durrësit prej shumë vitesh. Sipas Shqiptarja.com ai ka miqësi me Aleksandër Lahon, Rrumin e Shijakut.
Aleksandër Laho, mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj. I njohur ndryshe me nofkën ‘Rrumi’, emri i Lahos është i njohur për botën e krimit, pas akuzave për rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitri.