Një grua braziliane është dënuar me 31 vjet burgim për planifikimin e vrasjes së bashkëshortit, ish-ambasadorit grek në Brazil, raporton BBC.
Në vitin 2016, mbetjet e Kyriakos Amiridisit ishin gjetur në një veturë të djegur në Rio de Janeiro.
Bashkëshortja e tij Françoise de Souza Oliveira kishte një lidhje me një polic ushtarak, Sergio Gomesin.
Gomes më vonë pranoi se ka vrarë ambasadorin me urdhrin e të dashurës, dhe u dënua me 22 vjet burgim.
Në fund të një seance gjyqësore treditore, gjykatësi e përshkroi krimin e tyre si “kafshor”.
Një burrë tjetër, Eduardo Moreira Tadeschi di Melo – një familjar i Gomesit – u shpall i pafajshëm, por ka vuajtur një vit burgim pasi ndihmoi të fshihej trupi i Amiridisit.
Amiridis 59-vjeçar kishte shërbyer si konsull në Rio de Janeiro nga viti 2001 deri në vitin 2004, dhe u kthye në Brazil si ambasador në vitin kur edhe u vra.
Ai u martua me Françoisen në vitin 2004 dhe çifti ka një vajzë.
Para vrasjes, Amiridis udhëtoi nga kryeqendra Brasilian për në qytetin Nova Iguacu në veri të Rio de Janeiros, për të kaluar festat e Krishtlindjes me bashkëshorten e tij dhe prindërit e saj.
Françoise fillimisht e raportoi atë si të zhdukur, duke i thënë policëve se ai është larguar nga apartamenti pa shpjegim dhe kishte marrë një veturë me qira.
Vetura e djegur ishte gjetur në ditën tjetër dhe mbetjet mortore të ambasadorit.
Hetuesit gjetën shenja gjaku në divan ku po qëndronte çifti dhe besojnë se ai është vrarë atje para se trupi të largohej.