Një 48-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi sulmoi me thikë pa asnjë arsye një 62-vjeçar nga Rumania. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në Ladispoli, kur shqiptari nxori thikën dhe sulmoi personin tjetër, duke i shkaktuar 7 plagë në trup.
E gjithë skena është parë nga shumë persona, të cilët ishin të pranishëm në rrugë.
Menjëherë mbërriti policia, e cila pasi mori dëshmitë nisi kërkimin për arrestimin e 48-vjeçarit.
Po ashtu u sekuestruan edhe kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, ku më pas u bë e mundur të zbulohej edhe thika e autorit, ndërsa pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja u kap edhe 48-vjecari shqiptar.
Nga hetimet rezultoi se autori jo vetëm që ishte person me precedent penal, por kohët e fundit ai ishte larguar nga burgu. Ndërkohë, rezulton që të ketë pasur edhe probleme të shëndetit mendor.
Megjithatë autoritetet janë duke hetuar për të zbuluar shkaqet e sulmit, që çoi në plagosjen e një shtetasi rumun.