Nga Ben Andoni
Me gjasa, Mark Marku kurrë nuk ka njohur kaq ‘miq’ sa në këto momente kur bëri të njohur tërheqjen e tij nga mandati i deputetit dhe strukturat e PD-së. Do të jetë bash e vështirë për të sepse investoi kohë, energji dhe shpresë në një projekt, që megjithë angazhimin e tij total dhe të pakompromis, rezulton një i pashpresë. Mbi të gjitha shumë amorf për të ndjekur shpresën e madhe të demokratëve dhe gjithë shqiptarëve për ndryshim. Kjo u konsumua gjatë të gjithë ditës së dorëheqjes së tij bashkë me të gjithë vlerësimet duke e krahasuar deri në daljen e jashtëzakonshme të Dritëro Agollit në Kongresin e PPSH-së, kur u tregoi kolegëve të vjetër honin drejt nga ku ishte nisur asokohe partia e vetme e shqiptarëve. Mark Marku në kushte kjo të njëjta, pasi në fillim të viteve ’90 ishte Partia Demokratike që e kanalizoi energjinë e shqiptarëve për hedhjen e komunistëve (një trend që në fakt ishte jashtë politikës), tregoi në verën e 2021 në një Kuvend gati pa fizionomi batakun që e pret PD-në nëse ndjek këtë udhë, ku po e çon lidërshipi i zotit Basha.
Të gjithë mëtonjësit për vendin e kryetarit të PD-së por edhe zërat e tjerë përreth zotit Mark për momentin po rrinë të kujdesshëm dhe duket se duan të presin zhvillimet e Këshillit më 30 Gusht dhe pastaj ndryshimet e shtatorit për të vendosur. Siç ndodh rëndom tek ne. Gjithsesi, kurajo është ngjitëse shumë më tepër sesa mashtrimi që u pëlqen të përcjellin shumë nga anëtarët e sotëm e të PD-së. Për Markun shkon fjala e Mark Twain se: “Është më e lehtë të mashtrosh njerëzit sesa t’i bindësh ata se janë mashtruar”. Ai e kuptoi mirë këtë dhe ndaj u largua me dinjitet, sepse ishte e pamundur t’u tregonte njerëzve përmasat e mashtrimit.
Problemi mbetet tashmë me pjesën e mbetur ose me masën e madhe dhe jo të pakët të ankimtarëve për strukturimin e PD-së. Ka ardhur koha që të krijojnë një alternativë të re, bash atë të Djathtë konservatore ose liberale, që kërkojnë t’i përshtatet elektoratit të madh shqiptar. Nuk mundet të kërkohet vazhdimisht reformimi i Partisë Demokratike dhe të atakohet Basha, kur shikohet se ai dhe partia e Demokratëve nuk duan që të reformohen. Në letrën e Mark Markut shpjegohen shumë e shumë gjëra, por më shumë nga të gjitha pamundësia e PD-së me këtë lidërship, që të sjellë një frymë të re demokratike. Me këtë janë thënë të gjitha, ndaj tashmë për të gjithë kritikët që po e humbin energjinë me Bashën dhe njerëzit e tij, ka ardhur koha t’i drejtohen alternativës dhe krijimit të një formacioni krejt ndryshe. Dhe, jo të flasin me ex-cathedra. Terreni të nxjerr shpesh zbuluar. Me sa duket, Partia Demokratike nuk është më vendi i shpresës së Të Djathtëve të vërtetë shqiptarë. Dhe, këtë e kuptoje sot nga ajo mbështetje jo e pakët që Marku mori ngado për aktin e tij politik-qytetar. (Javanews)