Më pak shërbime, aspak argëtim, por më shumë vëmendje ndaj shëndetit publik dhe mbrojtjes sociale. Roli i bashkive ka ndryshuar shumë pas pandemisë, diçka që reflektohet në mënyrën se si i shpenzojnë fondet në dispozicion.
Raporti 6-mujor i Ministrisë së Financave për ecurinë e financave vendore tregon dallime të forta në strukturën e shpenzimeve vendore. Nëse në vitin 2019, shërbimet publike zinin 49% të të gjithë peshës së shpenzimeve, sot ato janë reduktuar në 26%. Ndërsa zëri Argëtimi, Kultura dhe Feja është zhdukur thuajse tërësisht. Në vendin e tyre, janë rritur pesha që zënë zëra si: rendi dhe siguria publike, strehimi, arsimi dhe mbrojtja sociale.
Në total shpenzimet e bashkive arritën në 24.3 miliardë lekë për gjysmën e parë të vitit, apo 2 miliard lekë më shumë se Janar-Qershori 2020. Por sërish, ndarë sipas natyrës ekonomike, janë shpenzimet për paga që zënë pjesën e luanit, ndjekur nga ato operative dhe më pas investimet.
Sa i takon të ardhurave që mbledhin vetë bashkitë, vihet re një rritje e varisë nga taksa mbi ndikimin në infrastrukturë mbi ndërtimet e reja, si dhe taksat mbi pasurinë. Së bashku me tarifën e pastrimit, këto 3 zëra sigurojnë 71% të të ardhurave të veta të pushtetit vendor.
Megjithatë ka diferenca të mëdha në të ardhurat totale prej 15.3 miliardë lekësh që arrijnë të sigurojnë vetë bashkitë, ku 11 bashkitë më të mëdha realizuar 82% të totalit të të ardhurave, apo 12.5 miliardë lekë. Ndërsa 50 të tjera ndanë mes tyre vetëm 18% të të ardhurave, apo 2.7 miliardë lekë.
/b.h