Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit në fluturimin që i largoi nga rreziku për jetën nga talebanët, grupi i parë i afganëve janë akomoduar në dy ambiente hoteliere në qytetin bregdetar të Durrësit.
Report Tv ishte këtë mëngjes pranë Hotel “Belvedere”, ku i gjithë ambienti është i rrethuar me forca të shumta të policisë për të garantuar sigurinë e afganëve që do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri deri në rrugëtimin e tyre, ndoshta të gjatë, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë hotel janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros. Siç është theksuar, në hotel ka mjekë që do të kujdesen për shëndetin e afganëve, edhe sipas protokolleve për Covid, si dhe psikologë, nisur nga situata e rënduar prej nga ata vijnë.
/b.h