Predikimi i Papës Françesk në meshën e përvitshme të Krishtlindjes kishte edhe një paralajmërim, atë që Ati i Shenjtë e quan Materializmi që po helmon Botën.
“Jetojmë në një shoqëri të pushtuar nga konsumizmi e hedonizmi, nga pasuria dhe ekstravaganca. Çdo gjë duhet të ketë masë”, ishin fjalët e Shenjtërisë së Tij, që shton se në këtë situatë lipset më shumë kthjelltësi.
“Krishtlindjet janë koha për të zbuluar edhe një herë se cilët jemi”, tha Papa.
“Fëmija Jezus lindi në varfëri pavarësisht hyjshmërisë së tij, pikërisht për të frymëzuar jetët tona. Ai na kërkon të veprojmë me maturi, në një mënyrë sa më të thjeshtë, të ekuilibruar e të qëndrueshme, na kërkon të jemi të aftë të shohim e të bëjmë atë çfarë është vërtet thelbësore”, shtoi Papa Françesku.
Meshën e Kërshëndellave, Papa e mbajti në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, përpara 10.000 besimtarëve.