Ergys Kaçe mund të largohet nga Paoku në merkaton e janarit, kjo për faktin se nëse klubi nuk pranon ta shesë gjatë merkatos së janarit apo në verë, në fund te sezonit 2016-2017 do ta humbin lojtarin me parametër zero.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, ka kontratë me klubin grek deri në vitin 2017, por javët e fundit, sikurse është raportuar edhe nga mediat helene, ka refuzuar rinovimin e kontratës. Arsyeja duket qartë se është dëshira e futbollistit për t’u transferuar te Lazio në Serinë A, ku do të kishte një pagë të pakrahasueshme me atë që përfiton në Greqi.
Në fakt drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare, ka tentuar ta marrë Kaçen nga Paoku që verën e kaluar, por drejtuesit e skuadrës nga Selaniku rezistuan, pasi synonin të fitonin më shumë para nga shitja e kartonit të tij. Në rast se Paoku nuk pranon ta shesë gjatë merkatos së janarit apo në verë, në fund te sezonit 2016-2017 do ta humbiste lojtarin me parametra zero, shkruan SuperSport.
Gjatë këtij sezoni Kaçe është aktivizuar në 10 ndeshje në Superligën e Greqisë, 7 herë titullar dhe 3 herë si zëvendësues, ndërsa në katër sfida të tjera ka qëndruar gjatë gjithë kohës në stol.
Në Europa League ka luajtur po 10 ndeshje, duke qenë zgjedhje e parë e trajnerit Igor Tudor.