Disa ditë pas ekzekutimit të dy të rinjve në qytetin bregdetar të Durrësit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kryen gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit një aksion të gjerë për rritjen e parametrave të sigurisë.
Me mbështetjen e Policisë së Durrësit, FNSh ka kryer kontrolle të imtësishme në një pjesë të madhe të lokaleve në qytetin bregdetar, ku dyshohej për aktivitet kriminal.
Këto kontrolle vijnë 4 ditë pas ekzekutimit të Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt në mjetin me të cilin ata udhëtonin.
Sipas Policisë, aksioni ka si qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dh rritjen e masave të sigurisë gjatë festave.
Dhjetëra të rinj janë shoqëruar në ambientet e komisariatit për verifikim, ndërsa disave i’u gjetën drogë dhe municione luftarake.
“Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, kanë nisur zbatimin e planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve.
Si rezultat, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve: K.T. 18 vjeç, B.T. 18 vjeç, L.Th. 20 vjeç, banues në Durrës dhe D.Sh. 19 vjeç, banues në Shijak.
Gjithashtu, filloi procedimi penal edhe ndaj shtetasit P.D., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi në një lokal në lagjen nr. 4, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua: një krehër pistolete me 16 copë fishekë, 9 mm; një shumë parash prej 5 350 €.”, sqaroi Policia.