Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi se vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështira për Shqipërinë nga vala tjetër e pandemisë së virusit korona. “Lufta nuk ka mbaruar. Varianti Delta sapo ka nisur të rimbushë shtretërit,” tha Rama.
Përballimi i valës tjetër të epidemisë korona duket se do të jetë një detyrë prioritare e qeverisë së re që pritet të krijohet javën e ardhshme.
Komiteti Teknik i Ekspertëve lë në fuqi masat kufizuese
Paralajmërimi për kohë të vështira për shkak të përhapjes së shpejtë gjatë këtij muaji të variantit Delta bëhet kur numri i rasteve të reja, të infektuara me këtë variant arriti në 24 orët e fundit në 800 të prekur, shifra më e lartë gjatë kësaj vere, e afërt me pikun e pandemisë, në mars të këtij viti dhe numri i viktimave në 24.
Një përhapje e tillë e virusit Delta u reflektua këtë muaj edhe në përfshirjen e Shqipërisë nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndër vendet me nivel të lartë të infektimit me variantin Delta dhe në paketën e udhëzimeve për qytetarët amerikanë që udhëtojnë drejt këtyre vendeve.
Në përgjigje të kësaj situate Komiteti Teknik i Ekspertëe, vendosi mbetjen në fuqi të masave kufizuese ekzistuese.
“Situata mund të mbahet nën kontroll nëse zbatohen masat mbrojtëse në fuqi dhe vazhdon vaksinimi. Numri i të infektuarve me variantin Delta, është 32 herë më i lartë se ai i të vaksinuarve. Personat që paraqesin forma të rënda infektimi dhe janë të shtruar në spitalet anti-covid janë pjesa më e madhe të pavaksinuar,” tha sot zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Masat ekzistuese që mbeten në fuqi janë vendosja e detyruar e maskave mbrojtëse në mjediset e mbyllura dhe kudo ku ka grumbullime njerëzish; ndalimi i grumbullimeve në mjedise të jashtme të më shumë se 50 vetëve; vazhdimi i orës policore nga 24:00 – 06:00; reduktimi 30 për qind i kapaciteteve njerëzore për aktivitetet sportive dhe kulturore – artistike.
Gjatë muajve të verës, masat e sipërpërmendura edhe pse ishin në fuqi nuk janë zbatuar nga qytetarët dhe autoritetet nuk e kanë bërë të detyrueshme zbatimin e tyre. Disa qindra spektatorë, vendas dhe turisë të huaj, morën pjesë p.sh. në festimet e “Ditës së Birrës” në qytetin e Korꞔës.
Autoritetet thirrje qytetarëve të vaksinohen
Autoritetet shëndetësore u bënë sërish thirrje qytetarëve të vazhdojnë vaksinimin me ritme të larta si në javën e fundit të këtij muaji edhe gjatë shtatorit, që janë shpallur “muaj të hapur” për vaksinimet anti-covid.
Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, thanë për DW që “vaksinimi nuk është i detyruar por për profesione të tilla si mjekët dhe arsimtarët, të cilët kanë për detyrë të ruajnë edhe komunitetet, ka mënyra alternative si paraqitja e statusit si “jo infektues” për të vazhduar punën”
Dr. Silvia Bino, drejtuese e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, tha në takimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve se ndër qytetarët vaksinuar deri tani 27 për qind janë qytetarë që kanë marrë të dyja dozat dhe 37 për qind ata që kanë marrë vetëm një dozë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, nga fillimi i vaksinimeve anti-kovid, në janar të këtij viti dhe deri tani janë kryer gjithsej 1.386.713 doza vaksinash./DW
g.kosovari