Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit të RENEA-s në disa qytete, ku gjatë kontrolleve nëpër banesa dhe lokale u arrestuan disa persona.
Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar armë, municion luftarak, drogë, është vënë në pranga një person në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit etj.
Në Mamurras u vu ne pranga Astrit Seferi, 36 vjeç, i cili ishte i shpallur në kërkim që nga viti 2017 për plagosjen e 4 personave.
Ndërkohë sipas policisë në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit D. T. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit E. D., në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi.
Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.
g.kosovari