Drejtori i Përgjithëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) Blendi Gonxhe njoftoi se, sot sot në mëngjes DPSHTRR dhe Taskforca e Transportit Rrugor, verifikuan mjetet e subjektit Mag Utilities me administrator Rigels Kasneci, me licencë Nr. 3321 nga Bashkia Tiranë për linjë transporti qytetës në iteneratin TEG-Sauk-ZooPark-Tiranë Qendër-ish Stacioni i Trenit, pas sinjalizimit në platformën DENONCO dhe nga konstatimet disa-ditore në terren gjatë kryerjes së shërbimit në kushte teknike jashtë çdo norme.
“Mjetet me targat AA401PN, 402PN, 403 PN, 404PN, 405PN, 406PN, 407PN, 408PN, 409PN, 410PN, 411PN rezultojnë pa kontroll teknik, pa akt-komoditeti, me mangësi të theksuara funksionale e dokumentacioni! Për sa më lart grupi i kontrollit në terren u koordinua edhe me Policinë e Shtetit dhe me AMK – Bashkia Tiranë për masa të shtuara ndaj mjeteve dhe subjektit përgjegjës” u shpreh Gonxhe, teksa njoftoi se, mjetet e verifikuara vizualisht dhe fizikisht u detyruan të dalin nga shërbimi dhe t’i nënshtrohen Qendrës së Kontrollit Teknik më të afërt, duke iu ndaluar të operojnë në linjë.
Gjithashtu tha ai, një grup kontrolli po vijon verifikimin në ambientet ku subjekti kryen mirëmbajtjen për çdo shkelje të normave përkatëse, ndotjen, kushtet, kriteret e përcaktuara me ligjin e Autoriparimit dhe Kodit Rrugor.
Gonxhe tha se, “kjo gjendje skandaloze e flotës së një prej linjave që operon përmes qendrës së kryeqytetit dhe zonave urbane nga më rekreativet e të populluara nuk do të tolerohet më. DPSHTRR – MIE do nxisë Bashkinë Tiranë për masa ekstreme ndaj operatorëve të tillë, deri në heqje licence! Mjete të tilla do të bllokohen edhe në sistemin e-DPSHTRR për çdo procedurë a transaksion deri në riparimin e plotë dhe rifutjen në normë teknike e ligjore ose dërgim për skrap/çrregjistrim përfundimtar”.
Sipas tij, kontrollet me fokus tek ndotja, kushtet teknike, komoditeti e çdo aspekt funksional për udhëtarët si edhe zbatimi rigoroz i kushteve të licencës për sigurinë e linjave të transportit rrugor do të jenë të vazhdueshme dhe të përditshme.
/a.r