1 i vrarë dhe 5 të plagosur është bilanci i ngjarjes së rëndë mbrëmjen e së hënës në Lushnje, ku në ambientet e jashtme të lokalit Pedonale u qëllua me breshëri kallashnikovi.
Nga të shtënat mbeti i vrarë pronari i lokalit, Bledar Muça rreth 40 vjeç, që besohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit.
Ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të plagosur dhe mendohet se nuk kanë patur lidhje me atentatin.
Të plagosurit janë Judin Velo 32 vjeç që ishte në tavolinë me viktimën, Ervis Tafa, Sara Liçi 24 vjeçe, Majlinda Gjyla 66 vjeçe dhe Sara Cauli 26 vjeçe.
Disa kanë qenë të ulur në tavolinat në ambientet e jashtme, ndërsa të tjerët kalimtarë. Fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave autorët u larguan me shpejtësi dhe disa kilometra larg vendngjarje policia gjeti të braktisur një makinë duke u djegur. Brenda makinës u gjetën edhe 2 kallashnikovë.
Hetuesit kanë marrë kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë për të parë nëse mund t’i shërbejnë hetimit. Ndërsa postblloqe janë ngritur në akse të ndryshme rrugore.
/a.r