Mijëra njerëz po përpiqen të largohen nga Afganistani pas marrjes në kontroll të vendit nga talebanët, pothuajse pas dy dekadash. Rreth 2.2 milion afganë janë strehuar tashmë në vendet fqinjë ndërsa 3.5 milion ende janë të pastrehë brenda kufijve të Afganistanit si rezultat i konfliktit të vazhdueshëm dhe paqëndrueshmërisë politike, shkruan BBC
Numri i afganëve që po largohen
Talibanët kontrollojnë të gjitha pikat kryesore të kalimit tokësor me fqinjët e Afganistanit dhe militantët kanë thënë se nuk duan që afganët të largohen nga vendi. Sipas raporteve vetëm tregtarët ose personat me dokumente të vlefshme udhëtimi do të lejohen të kalojnë.
“Shumica dërrmuese e afganëve nuk janë në gjendje të largohen nga vendi, ” tha të premten një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).
“Duke filluar që nga sot personat që mund të jenë të rrezikuar nuk kanë rrugëdalje.”
Megjithatë, disa refugjatë kanë arritur të gjejnë një rrugëdalje për tu larguar nga vendi. Mijëra afganë tashmë ndodhen në Pakistan. Ata u larguan menjëherë pas marrjes në kontroll të vendit nga talebanët.
Ndërsa rreth 1.500 afganë janë strehuar në Uzbekistan dhe po jetojnë në tenda pranë kufirit. Në Kabul, mijëra persona janë nisur drejt aeroportit ndërkombëtar, aktualisht i vetmi operacional në vend, në një përpjekje të dëshpëruar për tu larguar, raporton abcnews.al
Të premten, një zyrtar i NATO -s tha se më shumë se 18,000 persona u dëbuan nga aeroporti që kur talebanët morën kontrollin, por nuk është e qartë se sa prej tyre ishin shtetas afganë.
Sa afganë janë larguar?
Lëvizja e fundit e afganëve është pjesë e një eksodi historik nga një vend që ka qenë në paqëndrueshmëri dhe konflikt përgjatë shumë viteve. Edhe para se talibanët të merrnin përsëri në kontroll vendin, më shumë se 550,000 njerëz ishin të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre këtë vit për shkak të luftimeve, sipas UNHCR -së.
Kjo do të thotë se rreth 3.5 milionë afganë janë zhvendosur aktualisht.
Këtë vit, afganët gjithashtu do të përballen me mungesa ushqimore në pjesën më të madhe të vendit. Sipas një raporti nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB -së në qershor 14 milionë njerëz – më shumë se një e treta e popullsisë vuanin nga uria.
Vendet ku po arratisen afganët?
Vendet fqinje Pakistani dhe Irani kanë strehuar më shumë refugjatë dhe azilkërkues gjatë vitit të kaluar. Pothuajse 1.5 milionë u zhvendosën në Pakistan në vitin 2020, ndërsa në Iran 780,000, sipas shifrave të UNHCR.
Gjermania ishte e treta, vendi strehoi më shumë se 180,000, ndërsa Turqia rreth 130,000. Turqia, Gjermania dhe Greqia kryesojnë listën, me rreth 125,000, 33,000 dhe 20,000 respektivisht.
Irani
Irani ka ngritur tenda për refugjatët në tre provincat që kufizohen me Afganistanin. Por zyrtarë të lartë nga ministria e brendshme iraniane kanë thënë se çdo afgan që kalon në Iran “do të riatdhesohet” sapo të përmirësohet situata. Irani tashmë ka strehuar 3.5 milionë afganë, sipas OKB -së.
Pakistani
Kryeministri Imran Khan tha në qershor se vendi i tij do të mbyllte kufirin e tij me Afganistanin nëse talebanët do të merrnin kontrollin. Megjithatë, sipas raporteve mijëra afganë janë zhvendosur në Pakistan dhe se të paktën një pikë kufitare është e hapur.
Taxhikistani
Ende nuk dihet numri i saktë i personave që janë zhvendosur në Taxhikistan, po sipas disa raporteve paktën qindra afganë, përfshirë ushtarë nga Ushtria Kombëtare Afgane, janë zhvendosur në Taxhikistan ditët e fundit.
Në korrik, Taxhikistani tha se po përgatitej të strehonte deri në 100,000 refugjatë nga Afganistani.
Uzbekistani
Rreth 1,500 afganë thuhet se kanë kaluar kufirin Afganistan-Uzbekistan dhe kanë ndërtuar kampe. Sipas raporteve, vetëm personat me viza të vlefshme do të lejohen të kalojnë kufirin.
Mbretëria e Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar do të pranojë 20,000 refugjatë afganë. Sipas planit të vendit, rreth 500 afganë do të zhvendosen brenda vitit dhe kryesisht do të jenë fëmijë dhe gra.
SHBA-ja
Presidenti Joe Biden ka alokuar 500 milion dollarë për “nevojat urgjente të refugjatëve dhe migracionit, viktimave të konfliktit dhe personave më të rrezikuar si rezultat i situatës në Afganistan, përfshirë aplikantët për viza të veçanta emigrimi”.
Ende nuk dihet numri i personave që SHBA do të strehojë.
Kanadaja
Kanadaja ka thënë se do të strehojë 20,000 afganë, të cilët përfshijnë personat më të rrezikuar nga talebanët, përfshirë punonjësit e qeverisë dhe udhëheqëset gra.
Australia
Australia do të strehojë 3,000 afganë.
Bashkimi Europian
Zyrtarët në disa vende të Bashkimit Europian kanë deklaruar se duan të shmangin përsëritjen e krizës së emigrantëve të vitit 2015.
Gjermania
Gjermania ka deklaruar se do të pranojë disa afganë, por nuk ka specifikuar se sa. Kancelarja Angela Merkel, e cila u përball me kritika të ashpra për politikën e saj me dyer të hapura ndaj emigrantëve në vitin 2015, ka thënë se qeveria e saj ishte e fokusuar që refugjatët “të kenë një qëndrim të sigurt në vendet fqinje me Afganistanin”.
Franca
Presidenti Emmanuel Macron ka thënë se Europa duhet të “mbrojë veten nga valët e emigrantëve ilegalë” nga Afganistani. Ai tha se Franca do të “mbrojë personat që janë më të rrezikuar”.
Austria
Austria nuk do të pranojë asnjë afgan. Ministri i brendshëm i vendit është në favor të dëbimit të azilkërkuesve afganë dhe ka lobuar për krijimin e “qendrave të dëbimit” në vendet fqinje me Afganistanin, ku dëbimi i drejtpërdrejtë në Afganistan nuk është i mundur.
Zvicra
Zvicra ka thënë se nuk do të pranojë grupe të mëdha refugjatësh që vijnë direkt nga Afganistani.
Turqia
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se qeveria e tij do të bashkëpunojë me Pakistanin për të ndihmuar në stabilizimin e Afganistanit dhe për të parandaluar një valë të re refugjatësh drejt Turqisë.
Qeveria gjithashtu ka filluar ndërtimin e një muri kufitar me Iranin për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht 450 dhe 300 refugjatë respektivisht me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.
Refugjatët pritet të qëndrojnë në këto vende derisa të jenë gati dokumentet për vizat e emigracionit në SHBA. Kosova po planifikon gjithashtu të sigurojë strehim të përkohshëm për refugjatët që shkojnë në SHBA, por nuk ka specifikuar numrin e refugjatëve që pritet të strehojë.
Uganda
Uganda do të strehojë 2,000 refugjatë afganë. Kombi i Afrikës Lindore ka numrin më të madh të refugjatëve në krahasim me çdo vend tjetër Afrikë dhe vendi i tretë me numrin më të madh të refugjatëve në botë.
/b.h