Gjatë tre javëve të para të muajit Gusht janë vaksinuar ndaj Covid-19, rreth 265 mijë persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në total janë administruar mbi 1 milion e 365 mijë doza vaksine anti-Covid. Prej fillimit të procesit të vaksinimit në vendin tonë dhe deri më tani janë bërë pjesë e këtij procesi 785 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 585 mijë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinave.
Ajo që bie në sy është se ka një rritje të numrit të personave që vaksinuar me një dozë kjo për shkak të muajit të hapur të vaksinimit. Në total janë 200 mijë persona që kanë marrë një dozë të një prej 4 vaksinave që janë të disponueshme në Shqipëri.
Por numri më i madh i shqiptarëve janë imunizuar me vaksinën Coronavac më pas renditet Pfizer. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prej 11 Janarit deri në mesin e muajit Gusht kanë mbërritur 1,845,660 vaksina.
Vaksina kineze, Coronavac, përbënë pjesën më të madhe të vaksinave që kanë ardhur në vendin tonë pasi janë 1 milion doza, më pas renditet Pfizer, me rreth 465 mijë doza. AstraZeneca mbi 315 mijë doza, si dhe 60 mijë doza Sputnik.
Autoritetet Shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që të vaksinohen, duke përfituar në ditët e mbetura të muajit të hapur të vaksinimit anti-Covid për çdo qytetar mbi 18 vjeç.
Sipas ekspertëve vaksinat anti-Covid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në një shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet nga koronavirusi.