Udhëtarët nga këto vende duhet të regjistrohen në portalin përkatës para se të hyjnë në Gjermani. Të pavaksinuarit ose të pashëruarit duhet të kalojnë minimumi 5 ditë në karantinë.
Duke filluar nga e diela, 22 gusht 2021, Kosova dhe Maqedonia e Veriut konsiderohen si zona me rrezik veçanërisht të lartë për përhapjen e koronavirusit. Këtë e bëri të ditur instituti gjerman Robert Koch (RKI), të premten pasdite në faqen e internetit.
Veç këtyre dy vendeve, listës së zonave me rrezik veçanërisht të lartë, iu shtuan edhe Brazili, Dominika, Greqia – rajonet e Kretës dhe Egjeut Jugor (duke filluar nga e marta, 24 gusht 2021, në mesnatë), si edhe Irlanda. rajonet kufitare dhe perëndimore.
RKI hoqi nga lista e zonave me rrezik veçanërisht të lartë Andorrën dhe disa rajone të Spanjës.
Çfarë vlen tani për udhëtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut?
Sipas ministrisë së punëve të Jashtme të Gjermanisë, udhëtarët që duke filluar nga data 22 gusht kanë qenë në një zonë me rrezik të lartë në 10 ditët e mëparshme, duhet të regjistrohen në portalin www.einreiseanmeldung.de para se të nisen në Gjermani dhe ta kenë me vete vërtetimin e regjistrimit.
Nëse nuk janë të vaksinuar ose të shëruar nga virusi korona, duhet të bëjnë një test negativ. Në Gjermani duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë. Periudha e karantinës shkurtohet automatikisht në 5 ditë për fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe për të rriturit, të cilët pas pesë ditësh dëshmojnë rezultatin negativ të testit të koronës.
Përjashtohen nga ky rregull personat, të cilët:
a. kanë qenë si tranzit në një zonë me rrezik të lartë ose zonë të varianteve të virusit,
b. janë tranzit nëpër Gjermani dhe largohen nga vendi sa më shpejt;/DW
g.kosovari