Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi ligjin për Buxhetin e vitit 2016.
Në faqen zyrtare të institucionit të Presidencës, është publikuar dekreti që mban firmën e kreut të shtetit.
Buxheti u miratua nga Parlamenti me 86 vota pro, vetëm ato të mazhorancës pasi opozita e kundërshtoi me forcë. Madje ditën kur u votua buxheti, jashtë sallës së seancave plenare opozita kishte mbledhur në protestë mbështetësit e saj.
Buxheti për vitin e ardhshëm parashikon nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor prej 2.2 % të GDP-së. Ky vendim i qeverisë vjen si qëllim i politikës për të ulur borxhin publik në masën 70.9 % nga niveli prej 72.6% në të cilën ndodhet.
Por ndryshe mendojnë demokratët, të cilët e kanë cilësuar këtë buxhet si atë të “katastrofës”( Sali Berisha) apo një buxhet që do të rrisë varfërinë dhe barrën fiskale tek qytetarët (BODE).
Shpenzimet totale parashikohen në masën e 452 125 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat planifikohen 417 694 milionë lekë.
Nga ana tjetër, qeveria parashikon një zgjerim me 3.4 për qind të ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm.