Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka ndjekur me vëmendje të gjithë procesin e hartimit, diskutimit dhe miratimit të Kodit të Punës, duke shprehur sugjerime dhe rekomandime konkrete për dispozita të caktuara.
Totozani ka vleresuar dhe përshendetur institucionet përgjegjëse të përfshira në këtë proces si, Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për pranimin dhe miratimin e propozimeve të Avokatit të Popullit dhe përfshirjen e tyre në Kodin e ri të Punës. Në gjykimin e Avokatit të Popullit, ky projektligj ka sjellë risi, sipas standardeve ndërkombëtare dhe në përputhje me Konventat e Ratifikuara nga vendi ynë.
Avokati i Popullit ka sugjeruar përfshirjen për herë të parë në Kodin e Punës të ndalimit të ngacmimit moral nga ana e punëdhënësit, duke përfshirë disa garanci, ku përfshihen garantimin e sigurisë dhe i mbrojtjes së shëndetit mendor dhe fizik të punëmarrësve etj. Të gjitha rekomandime janë përfshirë në nenin 32 me propozimet e Institucionit të Avokatit të Popullit.