Edhe këtë të mërkurë në dyert e spitalit Covid 1 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë shtuar të tjerë pacientë që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Mosha e tyre nis nga 21 vjeç ndërsa nuk mungojnë as rastet në terapi intensive.
“Format klinike me të cilat po përballemi diferencojnë nga format e mesme që paraqiten më temperaturë, dobësi të theksuar ndonjëherë dhe me prekje të traktit gastro-intestinal. Kryefjala mbetet trakti respirator, pra prekje pulmonare”.
Pavarësisht variantit të Covid me të cilin janë prekur pacientët, problemet me frymëmarrjen janë ato që shkaktojnë fatalitet.
“Prekja respiratore është emëruesi i përbashkët tek pacientët që paraqesin forma kritike, nuk ngelen pas edhe prekjet multi organore, të cilat i karakterizojnë pacientët me Covid, prekjet metabolike, por trakti respirator mbetet pika e dobët tek këta pacientë”.
Mes të shtruarve ka edhe pacientë që kanë marrë një dozë vaksine, por sipas mjekëve gjendja e tyre është shumë herë më e mirë.
“Tani kemi fakte që vaksinimi ka arritur të shmang shifrat e larta të infektimit, pacientët që shikojmë që mund të kenë marrë dozën e parë vaksinës paraqesin forma klinike shumë të lehta se personat që nuk kanë marrë vaksinën, janë arsye për t’u thënë të gjithëve vaksinoheni”.
Që prej nisjes së pandemisë në vendin tone janë infektuar rreth 137 mijë persona me Covid, prej të cilëve mbi 2400 kanë humbur jetën.
/a.r