I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, për të folur mbi përfshirjen nga flakët të Sarajeve të Toptanëve ishte Auron Tare.
Ky i fundit, tha se godina ka pasur një rëndësi të madhe kulturore, duke qenë se vlerësohet si një monument i kategorisë së parë. Gjithashtu ai tha se nuk është habitur nga lajmi, pasi sipas tij, zona ka qenë e lakmueshme sistematikisht për t’u bërë ndërtime.
Si e mësuat lajmin për përfshirjen nga flakët e zjarrit të Sarajeve të Toptanit?
Auron Tare: E shikova nga postimit në FB të qytetarëve nga mesi i natës. Nuk është se më habiti apo mbeta i çuditur sepse kanë ndodhur dhe situata të tjera në monumente të tjera. Kjo bëhet për t’i hapur rrugë ndërtimeve. Ka dhe monumente të tjera që s’kanë pasur më reagim dhe janë zhdukur përgjithmonë.
Auron Tare: Kjo godinë është monument i kategorisë së parë dhe tregon rëndësinë e madhe që ka ajo për Tiranën, për zhvillimin e familjeve të mëdha për atë periudhë. Ka një seri pikash të vlefshme pë të shpjeguar historinë e qytetit të Tiranës. Fakti që është vendosur në kalanë e qytetit, fakti që është pjesë e një dinastie siç janë Toptanët, ka një vlerë të dyfishtë për historinë tonë dhe atë të vendit. Aty ka pasur një seri ngjarjesh historike. Ka qenë seli e një prej bejlerëve të Toptanëve. Aty ka qenë vendosur shtabi i ushtrisë Austro-Hungareze. Më pas ka qenë Ambasada e Parë Amerikane në Shqipëri dhe kështu me radhë. Ka qenë institut i monumenteve. Nga vitet 2000 filloi degradimin e qëllimshëm, sepse pronarët që janë në numër të konsiderueshëm menduan se do të kishte më shumë vlerë nëse do të prishej e do të bëhej pallat. Prej kohësh kësaj godine i është vendosur syri për t’u bërë pallat.
Ministrja e kulturës reagoi në lidhje me këtë ngjarje…
Auron Tare: Personi përgjegjës është Ministria e Kulturës, Bashkia vjen më prapa. Ka pasur debat, që ne ndonjëherë fajësojmë bashkinë, por taksapaguesit do duhet të marrin përgjigje nga Ministria e Kulturës dhe ajo e monumenteve.