Ditët e nxehta dhe të thata që po mbizotërojnë prej javësh me temperaturë mesetare prej 39 gradë, në Kukës kanë shkaktuar jo vetëm zjarre, por edhe ulje të ndjeshme të nivelit të ujit në basenin më të madh ujëmbledhës në vend. Vetëm javën e fundit niveli i ujit ka rënë me më shumë se 40 cm në ditë. Niveli në liqen ka arritur në rreth 270 metër nga 296.5 që është kuota maksimale.
Kjo rënie ka sjellë edhe daljen e bazamenteve të dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa bazeni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.
Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë shumë të pakta, ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike është real pasi parashikimet flasin se moti i nxehtë dhe temperaturat e larta do të na shoqërojnë edhe në javët në vijim.
/b.h