Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e fundit për situatën e zjarreve thotë se aktualisht po punohet për shuarjen e 10 vatrave aktive.
Një vatër e re zjarri është shfaqur në Malin e Tërbunit në Pukë, ku sipas ministrisë përhapja e flakëve rrezikon kurorën e qytetit të Pukës.
Në të gjithë vendin po punohet për shuarjen e 10 vatrave të zjarrit, një pjesë e të cilave janë të reja dhe një pjesë janë favorizuar në përhapje nga era e fortë.
Një vatër e re zjarri është shfaqur, nën ndikimin e erës në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë, ku është punuar gjatë ditës nga forcat e FA për krehjen e zonës. Përhapja e zjarrit rrezikon kurorën e qytetit të Pukës, por nuk ka rrezik për banesa. Nesër do të vijojë sërish operacioni për vënien nën kontroll të situatës.
Ndërhyrja nga ajri në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz u ndërpre si pasojë e telave elektrikë që rrezikonin punën e helikopterit holandez. Por në terren po punojnë rreth 100 forca të FA dhe pushtetit vendor. Nga ana e fshatit Kryezi është vënë nën kontroll. Nga fshati Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet nga forcat për ta izoluar. Nuk ka rrezik për banesat.
Një zjarr me përmasa të mëdha u raportua në një sipërfaqe pyjore pishe dhe shkurre, midis fshatrave Lodertune, njësia administrative Postribë dhe Mazrek, njësia administrative Guri i Zi, bashkia Shkodër. Mazreka është një zonë me vlera historike dhe turistike, ku ndodhen rrënojat e Kishës së Shatit, monument kulture i kategorisë së parë. Në mbështetje nga ajri është edhe helikopteri holandez.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur 15 Ha shkurre dhe pemë. Vatra ka qenë aktive brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri dhe gjatë kohës është përhapur në Veri-Lindje të fshatit Lalm të nj.ad. Kolsh, Lezhë dhe të kufirit administrativ me nj.ad.Rubik, bashkinë Mirditë, përkatësisht në afërsi të fshatit Katund i Vjetër, ku në gatishmëri është vendosur një mjet zjarrfikës i FA për ruajtjen e 4 banesave aty pranë. Vijon akoma mbështetja nga ajri dhe pas punës së ditës së sotme është arritur 60% e izolimit të vatrave. Nesër do të vijojë sërish operacioni për shuarjen përfundimtare.
Është përmirësuar disi situata në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ku situata ishte përkeqësuar si pasojë e erës. Deri më tani flakët kanë përshkuar rreth 220 ha ahe, pishë, barishte e dushq dhe djegur 140 ha kullota. Veç forcave të FA, policisë, zjarrfikëses gjatë ditës ka punuar është helikopteri holandez, i cili ka ndihmuar në uljen e ritmit të përhapjes së zjarrit krahasuar me ditën e djeshme operacioni do të vijojë sërish nesër. Aktualisht nuk ka rrezik për banesa.
Vazhdon të jetë problematike vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, pavarësisht punës së bërë nga forcat e angazhuara të bashkisë dhe forcat e ushtrisë për izolimin dhe mbajtjen e saj nën kontroll. Vazhdojnë të digjen trungje brenda vatrës. Terreni është i vështirë dhe në disa drejtime është e pamundur ndërhyrja nga toka.
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishte bashkia Dibër. Pavarësisht punës së bërë nuk është arritur izolimi i flakëve që po përhapen në zonë pyjore. Nesër në mbështetje të forcave të pushtetit vendor do të shkojnë edhe rreth 30 efektivë të FA.
Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në fshatin Vanë, njësia administrative Delvinë, bashkia Delvinë. Forcat e zjarrfikëse janë në terren dhe aktualisht nuk ka rrezik.
Po ashtu një vatër e re është në fshatin Kamican, njësia administrative Zavalinë, bashkia Elbasan në pyll me pisha. Forcat e MZSH të bashkisë janë në terren dhe po punojnë për izolimin e vatrave.