Në fshatin Flet në Fushë-Arrëz flakët rrezikojnë t’u afrohen banesave. Lajmin e bën të ditur ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shton se për shuarjen e vatrës ka nisur edhe puna nga ajri.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ministri bën të ditur se me prioritet po punohet edhe në fshatin Thirrë në Mirditë, ku vatra ka zgjeruar perimetrin e forcat në terren po hasin vështirësi për shkak të tymit.
Sa i përket vatrave në Majën e Rrunës, sipas Peleshit, gjendja është në përmirësim dhe nuk ka rrëzik për banesat. Kurse, prej mëngjesit ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri në malin e Tërbunit në Pukë, ku njoftohet se janë pozicionuar edhe mbi 150 forca të FA në terren.
NIKO PELESHI NË FACEBOOK
“Disa vatra zjarri janë ende aktive në vend. Situata është problematike në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, ku flakët rrezikojnë t’u afrohen banesave. Për shuarjen e tyre ka filluar puna nga toka e ajri. Me prioritet po punohet edhe në fshatin Thirrë në Mirditë, ku vatra ka zgjeruar perimetrin e forcat në terren kanë vështirësi për shkak të tymit të krijuar.
Puna ka vijuar edhe në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës, ku gjendja është në përmirësim dhe nuk ka rrezik për banesat. E njëjta situatë është edhe në fshatin Patej në Lezhë. Ndërsa prej mëngjesit ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë pozicionuar edhe mbi 150 forca të FA në terren.” /abcnews.al/