Flordelis dos Santos de Souza, një ish -kongresiste braziliane e akuzuar për vrasjen e burrit të saj në qershor 2019, u arrestua mbrëmjen e së premtes pasi iu hoq imuniteti parlamentar.
Ajo është akuzuar se ka vrarë bashkëshortin e saj Anderson do Carmo, me ndihmën e disa prej fëmijëve të adoptuar. Mbi jetën e tij ishte realizuar një dokumentar, në vitin 2009, ku ai përshkruante të shoqen si një model për t’u marrë për shembull pasi kishin sjellë në shtëpi dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë të braktisur, të pastrehë apo në arrati nga familje të dhunshme.
Ajo gëzonte madje dhe respektin e trafikantëve të drogës dhe banorëve të tjerë për shkak të punës së saj humanitare në ndihmë të të rinjve që kishin probleme me drogën dhe botën e krimit – njihej si mama Flora.
Polemikat në vend kanë të bëjnë dhe me faktin se si është lejuar ajo të adoptojë 55 fëmijë, dhe pse nga hetimet ka dalë në pah se me disa prej tyre ajo kishte marrëdhënie intime. Deri një ditë më parë ajo ishte deputete e partisë socialdemokrate, e pesta më e votuara në Rio.
Sipas hetuesve 60 vjeçarja kishte kohë që donte të vriste bashkëshortin e saj me arsenik madje kishte tentuar ta vriste 6 herë. Por vetëm në 16 qershor të 2019-ës realizoi planin e saj, Anderson u qëllua me 30 plumba në garazhin e shtëpisë ku jetonin. Arsyeja ishte thjesht financiare.
Në fjalën e saj të fundit në parlament, duke u mbrojtur nga akuzat, ish deputetja kërkoi që të gjykohej nga populli: Njerëzit më kanë sjellë këtu. E di që jam e pafajshme dhe do e dëshmoj. Dua të gjykohem nga njerëzit,” përfundoi ajo.
/b.h