Dogana e Qafë-Thanës është përballur me fluks të jashtëzakonshëm gjatë verës. Burime zyrtare bëjnë me dije se vetëm në dy ditët e fundit nga kjo pikë e kalimit kufitar kanë lëvizur në të dy anët e kufirit më shumë se 18 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Pjesa më e madhe kanë qenë qytetarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët kalojnë fundjavën në bregdetin shqiptar, por burimet pranë kësaj pike kalimi kufitar, thanë se janë rritur së tepërmi hyrjet e turistëve të huaj, kryesisht të atyre, që vijnë nga vendet e lindjes, të cilët preferojnë më së shumti bregdetin jugor të Shqipërisë.
Për të përballuar fluksin në rritje, nga pala shqiptare punohet me 7 sportele, 4 në hyrje, ndërkohë që pala maqedonase ka punuar këtë fundjavë me numër të reduktuar sportelesh, çka dhe ka sjellë radhë të gjata në anën tjetër të kufirit.
/b.h