Nga Ornela Çuçi
Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve të një rajoni nuk mund të konsiderohet si tradhti. Nacionalizmi simbolik është karakter tipik i shprehjes së patriotizmit te vendet e varfra, por patriotizmi i vërtetë është ai i vendeve të zhvilluara. Patriotizmi i këtyre qeverive bazohet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Në 2015-n, 150 drejtues të qeverive ranë dakord globalisht për të mbrojtur mjedisin. Për ata ishte e qartë: zhvillim ekonomik pa mbrojtur mjedisin, nuk mund të ketë. Zhvillimi i qëndrueshëm u kthye në kryefjalë anë e kënd planetit. Green Deal tashmë është një detyrë për t’u përmbushur edhe nga vende si ne, vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor.
Pavarësisht përparimit të rëndësishëm të arritur nga rajoni pas viteve 1990, treguesit e tanishëm të zhvillimit të qëndrueshëm tregojnë se rajoni ende mund të identifikohet nën të ashtuquajturin “proces zhvillimi”. Intensifikimi i “procesit të zhvillimit të qëndrueshëm”, si dhe integrimi në BE është një objektiv i përbashkët i rajonit.
Teoritë e marrëveshjeve dhe konventave, nën togfjalësha si “zhvillim i qëndrueshëm” apo “ndryshime klimatike”, gjejnë rajonin e Ballkanit, të kuptojë në praktikë pse duhet të bashkëpunojë. Fiks në mesin e një sezoni kur rritja e temperaturës së tokës na gjen nën një vrull masiv zjarresh në një pjesë të globit, ndërsa pjesa tjetër vuan përmbytje masive.
Ballkani Perëndimor, një rajon i shtrirë në afërsisht 207 mijë km2, është i njohur për natyrën e tij malore, diversitetin e territorit dhe klimës. Dhe, për më tepër, diversitetin e pasur të ekosistemeve të tyre – përfshirë florën dhe faunën.
Përafërsisht 30% e florës evropiane dhe 42% e gjitarëve evropianë gjenden vetëm në Shqipëri, e të njëjtat të dhëna befasojnë në gjithë rajonin.
Për shkak të kushteve klimatike dhe topografisë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet më të pasura evropiane për sa u përket burimeve ujore. Sasia e përgjithshme tregon mesataren më të lartë të ujit të ëmbël për person 328l/ditë; më e lartë se vendet fqinje dhe rreth dy herë më e lartë se mesatarja e BE -së.
Rreziqet natyrore nuk i respektojnë kufijtë!
Në dekadën e fundit, Ballkani Perëndimor ka parë një rritje të konsiderueshme në numrin fatkeqësive natyrore.
Statistikat jo vetëm që pasqyrojnë ndryshimet në madhësinë e tyre, por gjithashtu na tregojnë se kjo prirje ka të ngjarë të bëhet më e theksuar në vitet në vazhdim.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të përjetojë një rritje të temperaturës, sipas të dhënave të fundit të raportit të OKB, nga 0.5 – 1.0 që ishte e përllogaritur për 10-vjeçarin e ardhshëm, në 1.5 gradë, për arsye të ndryshimit klimatik.
Kjo do të sjellë një rënie të reshjeve të përgjithshme me një rritje kontekstuale të incidencës së ngjarjeve ekstreme të motit. Vetëm në 24 orë gjatë javës së parë të këtij viti, në Shqipëri patëm 10% të reshjeve vjetore.
Ndikimi serioz që pritet të ketë ndryshimi i klimës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kërkon një bashkëpunim më të fortë rajonal, duke marrë parasysh se masat e përshtatjes dhe zbutjes së riskut do të kërkojnë vëmendje dhe fonde të mëdha.
Këto masa vetëm nëse zbatohen në nivel rajonal, do të zvogëlojnë barrën mbi një ekonomi të vetme.
Do të na duhet të fillojmë nga analizat e hollësishme dhe të mos harrojmë se kemi mungesa të larta në infrastrukturën ekzaminuese. Të vazhdojmë me politikat e përbashkëta legjislative, pasi rajoni ndan të njëjtat burime natyrore (lumenj, liqene, biodiversitet) dhe si rezultat, të njëjtat probleme mjedisore.
Do të na duhet të planifikojmë në mënyrë të përbashkët zbatimin e strategjive të ndryshimit të klimës, duke përdorur një qasje nga poshtë-lart dhe duke përfshirë një gamë të gjerë të aktorëve dhe qytetarëve.
Ende nuk kemi një sistem rajonal të parashikimit të motit me rreze të gjatë (nga mujore në sezonale) dhe, kësisoj, nuk mund të sigurojmë shpërndarjen e të dhënave midis sektorëve përkatës.
Vetëm ky bashkëpunim do të mund të zbatojë një sistem të besueshëm rajonal të paralajmërimit të hershëm dhe do të sigurojë shpërndarje efikase të informacionit.
Nëse nuk rrisim cilësinë e vlerësimit të rrezikut rajonal, prioritizimin dhe vendimmarrjen me shkëmbimin e të dhënave të vëzhguara dhe komunikimin ndërkufitar, askush nga vendet tona nuk mund të mbrojë territorin e vet nga ky risk, gjithnjë e më shumë në rritje.
Mjedisi nuk njeh kufij, as kombësi dhe as nuk pranon ndasi!
Mjedisi i përbashkët nuk i toleron vendet e rajonit “të presin me thikë” kufijtë e politikave që duhet të ndërmarrin për të lejuar zhvillimin e tyre duke respektuar natyrën.
Natyra, në fakt, është aseti më i madh që kemi! Andaj këto politika kërkohen tani!
Sipas themeluesit të Raportit të Zhvillimit Njerëzor, Mahbub ul Haq, “qëllimi themelor i zhvillimit është zgjerimi i gamës së mundësive për zgjedhje nga komunitetet. Objektivi i zhvillimit është krijimi i një mjedisi që u mundëson anëtarëve të komunitetit të gëzojnë një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe krijuese”.
Zgjedhjet e Ballkanit tashmë i sanksionon vetë natyra.
Detyrë e qeverive është të tregojnë patriotizmin e nevojshëm për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre.