Në Fier policia ka vendosur në pranga 6 persona për vepra të ndryshme penale.
63-vjeçari Bajram Kalari, është arrestuar nga policia pasi është kapur duke djegur me zjarr mbeturina dhe për pasojë zjarri i ka dalë nga kontrolli duke rrezikuar përhapjen në ambientet dhe bizneset që ndodheshin aty pranë.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në vijim të punës për parandalimin e rasteve të zjarrvënies, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 63 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, pasi ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në anë të rrugës automobilistike Lushnjë-Rrogozhinë, duke djegur me zjarr mbeturina dhe për pasojë zjarri i ka dalë nga kontrolli duke rrezikuar përhapjen në ambientet dhe bizneset që ndodheshin aty pranë”, njofton policia.
Gjithashtu 57-vjeçari Durim Nazëraj, dhe 69-vjeçari Bashkim Nazëraj, janë arrestuar pasi gjatë kontrollit në oborret e banesave të tyre, iu gjetën fidanë kannabis sativa.
Një tjetër person me inicialet B.N është arrestuar për armëmbajtje pa leje (armë gjahu). Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën edhe sekuestruan edhe 50 fishekë.
Po nga këto struktura u arrestua 43-vjeçari Shpëtim Muharremi, banues në Levan, pasi ka kërcënuar dhe kanosur shtetasen K. O., e cila ishte e pajisur me urdhër-mbrojtje ndaj tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Algert Belulaj, 32 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërsa Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë 42-vjeçarin B. Ll., banues në Fier, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
/b.h