Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga Vlora ka deklaruar se zjarri në Dukat dhe Karaburun është shuar dhe nuk ka më rrezik. Në një deklaratë për mediat, Peleshi ka tha se tashmë i gjithë gadishulli është në një moment të qetë, por nuk mund të deklarohet triumfi për të gjithë vendin.
Po ashtu ministri tha se parku i Llogarasë nuk është prekur dhe për këtë ka pasur shumë orë punë dhe shumë forca të angazhuara.
“Nuk jemi në një moment triumfi përfundimtar, por në këtë zonë që na ka munduar dhe na shqetësuar më shumë, sot mund të themi ka zero vatra zjarri. I gjithë gadishulli është i qetë dhe është një moment frymëmarrje. Jemi në sezon vere dhe çdo gjë mund të ndodh.
Në këtë moment mirë është që të bëjmë disa falënderime, janë mijëra forca, nga forcat e armatosura. Janë shumë orë fluturimi, shumë sasi e madhe uji që është hedhur mbi vatrat. Sot kemi arritur të shpëtojmë një nga pasuritë më të mëdha natyrore, siç është Parku i Llogarasë”, u shpreh Peleshi.
Më tej Peleshi i ka bërë thirrje Bashkisë Vlorë që të marrë masa dhe të ruajë territorin.
“Bashkia e Vlorës të ngrihet në lartësinë e detyrës, të rrinë këtu ditë natë. Nëse ka ndonjë vatër ta fikë vetë me të gjithë forcat që ka“, shtoi ai.
/a.r