Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele do të qëndrojnë në izolim për 90 ditë. Ky është vendimi për tre të burgosurit që akuzohen se tentuan të arratiseshin nga burgu 313 në Tiranë. Arbër Çekaj ka mohuar që të ketë lidhje me arratisjen dhe ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë plan me Pjetrin dhe Çepelen.
Po ashtu dhe Çepele ka thënë se ai nuk ka prerë damarët për të tërhequr vëmendjen nga arratisja e Çekajt dhe Pjetrit, pasi veprimin e ka ndërmarrë 1 orë e 30 minuta më herët.
Para gjykatës ai u shpreh se ka prerë damarët për shkak të gjendjes së rënduar, pasi i kanë vrarë dy nipërit.
Nga ana tjetër Fatmir Pjetri është shprehur në gjykate se plani i arratisjes ka qenë vetëm i tij dhe i askujt tjetër. Ai ka thënë se policin e kam goditur pa dashje kur ka rënë nga gardhi i burgut.
Por edhe pse të burgosurit kanë mohuar se kanë lidhje me njëri-tjetrin për planin e arratisjes, gjykata ka vendosur që t’i lërë të tre në izolim për 90 ditë.
/a.r