Nga Frrok Çupi
Çfarë po ndodh? Ngjarje me ushtri po ndodhin sot, dje e pardje…, domethënë këto tre a katër ditë:
…Dy ushtri, në të njëjtin mision- për shuarjen e zjarrit në Lak të Thive; të dyja shqiptare. Fshehur nëpër shkurre rri një ushtri tjetër piroteknike që ndez zjarre të qëllimshme.
Dy ‘ushtri’ shqiptare gazetarësh shajnë njëri tjetrin, njëra andej nga Kosova e tjetra këndej. Të thuash të vërtetën- ata në Kosovë shajnë më rëndë e trashë… Dy ushtri ‘artistësh’ në të dy anët, njëra lufton që të ndalojë e tjetra të lejojë kantautorin boshnjak me famë ndërkombëtare, Bregoviç. Disa nga këta ushtarë, edhe pse këngëtarë ‘majë krahu’ i bëjnë isharete artistit të Rock-ut: ‘Pa peja- peja pak e matemi bashkë!’. Budallallëk me okë!, një rapsod i stilit ‘majë krahu’ do të matet me zhanrin ‘rock’ e ‘jazz’ që sollën kthesa në qytetërimin botëror. Sapo kemi lënë pas kohën e trishtë kur ‘ushtria’ e klasës punëtore edukonte artistët.
Prapa dhe para të gjithash qëndrojnë dy ushtri politike, të dyja shqiptare, njëra në Kosovë e tjetra në Shqipëri, që kanë dylbi të ndryshme. Ata në Kosovë e shikojnë më mirë horizontin kur vënë gardhe e mure, ndërsa këtu shikojnë në mirë ‘të hapur’. Në fakt nuk e kanë punën te ‘Hapja’. Qysh prej fillesës së Reformës në Drejtësi, këtu në Tiranë, grupimi i Albin Kurtit ka nisur shantazhin ndaj shqiptarëve, me qëllim që të mos lejojë funksionimin e Drejtësisë.
Dhe një ushtri tjetër, e përbashkët shqiptare, që po bëhet gati me paramilitarë për t’u hakmarrë kundër Drejtësisë dhe prezencës së Amerikës në Shqipëri, nëse këtu guxojnë e dënojnë korrupsionin. ‘”Legjenda” le të jetë i korruptuar dhe le të jetë minues i demokracisë, e kena prej katundit tonë! Ne e mbrojmë!’- ky është motivi.
Dhe një ushtri e madhe, vetëm kjo nuk është shqiptare, qëndron përballë. Ushtria Amerikane, pas stërvitjes së njohur e më e madhja në Evropë ‘Defender Europe 21’, ka lënë në vendin tonë rreth 800 ushtarakë. Por ndërkohë, bash sot u njoftua se Amerika dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshjen nga e cila pritet që vitin e ardhshëm të ndërtohen tri baza Amerikano-Shqiptare në Shqipëri.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellin në Shqipëri 120 avion ushtarakë, 10 mijë autoblinda si dhe lloje të ndryshme mjetesh.
“Shqipëria do të jetë kryeqendra e Ballkanit për bazat e SHBA dhe NATO-s. Në Shqipëri tashmë kanë arritur 33 helikopterë Apach. Shqipëria do të jetë kryeqendra e Ballkani kundër ndërhyrjes së Rusisë”, u njoftua sot.
… Të gjitha ushtritë kanë lidhje me njëra tjetrën; ose- ekzistojnë për shkak të njëra tjetrës.
Vetë ushtria amerikane ndodhet këtu për shkak se kërcënojnë dy ushtritë e tjera ilegale. Amerika është presente të ruajtur stabilitetin dhe për të mos lejuar paramilitarinë rajonale.
Prej ditësh po flitet për organizata paramilitare që bëhen gati si në territorin e Kosovës edhe të Shqipërisë për të krijuar terror, trazira dhe tension në momentin kur Kuvendi të mos pranojë Berishën në ulëse si deputet; ose edhe më keq- sikur SPAK të vërë nën akuzë të korruptuarit e mëdhenj, autorët e Gërdecit, të 21 Janarit, të eliminimeve politike, të vitit ’97… Qysh në zgjedhjet e 25 prillit ishte shfaqur frika se organizma paramilitare mund të shkaktonin rrënimin e procesit. Edhe për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nga PD e LSI, ishte bërë thirrje e hapur militare që të mos lejohej të zhvillohej procesi i votimit.
Në kulmin e atij ‘trimërimi’ luftarak, presidenti Meta- edhe si pjesë e opozitës-, deklaroi se kishte informacione se ‘nga Kosova mund të ndërhynin trupa paramilitare’. Rrekjet e kryeministrit të ri, Kurti, për të nxitur përçarje me Shqipërinë, janë bazuar mbi lidhjet e ngushta me Berishën dhe Metën; vetë Kurti ka ndërhyrë në punët e politikës së shtetit tjetër duke synuar që të krijojë vatra tensioni dhe grupime militante.
Në vitin 1997, paramilitarë nga Kosova, sidomos nga ushtria fraksioniste FARK, u panë e u rezistuan deri në Vlorë.
Në këto momente, para se të vijë shtatori, po përdoren të gjitha mjetet, qoftë edhe mjete periferike me ‘militarinë’, si arti apo politika. ‘Ushtria’ që i sulet artistit boshnjak për të mos e lejuar që të këndojë në Korçë, padyshim që nuk e ka punën me këngën, as me Goranin; puna është që të ndizen zjarre për në vjeshtë.
… Kështu, një pas një ndodhen, në këtë të nxehtë, të gjitha ushtritë. Prandaj ndodhet këtu edhe vetë ushtria dhe prezenca amerikane; shpresa dhe garante e stabilitetit që tentojnë ta cenojnë dy ushtri të vogla shqiptare që luftojnë Drejtësinë. Kësaj here- çmendurisht- si kurrë më parë.
“Shqipëria do të jetë kryeqendra e Ballkanit për bazat e SHBA dhe NATO-s. Në Shqipëri tashmë kanë arritur 33 helikopterë Apach. Shqipëria do të jetë kryeqendra e Ballkani kundër ndërhyrjes së Rusisë”, u njoftua sot.
Të tjerat janë anash.