Nga Çapajev Gjokutaj
Ti je oportunist, më shkruan një zonjushë. Vendi digjet nga zjarret e gushtit, kurse ti thua: Ç’bëjnë qytetarët?
Duhet t’u sulesh qeveritarëve, shton ajo, ata t’i dalin zot. Taksat na i marrin deri tek qindarka e fundit.
Nuk kam fajësuar qytetarët. Kam thënë vetëm se, po ta donim këtë vend, jo shumë, por sa gjysma e asaj që deklarojmë në rrjetet sociale, mbase flakët do ishin më të pakëta se do ishim më të kujdeshëm në përdorimin e zjarrit e më aktivë në shuarjen e flakëve.
Përtej zjarreve e flakëve të gushtit, zonjusha prek një problem jetik: Ç’duhet të bëjë me përparësi ligjërimi publik? Të demaskojë ata që janë lart, apo të përpiqet të zgjojë ndërgjegjen qytetare?
Doemos, edhe njerën edhe tjetrën. Por krijimi i ndërgjegjes qytetare shpesh merr goxha peshë.
Kemi 100 e kusur vjet që përpiqemi të bëjmë shtet dhe na ngjan vetja si vëllezërit e kalasë së Rozafës: ç’bëjmë ditën, rrëzohet natën.
Gjithë këtë kohë, fatmirësisht nuk kanë munguar zërat publikë që kanë fshikulluar ata që janë lart. Sa për ilustrim kujtoni sarkazmën e Ali Asllanit që këto vite na ka ardhur në interpretimin e Reshat Arbanës: ‘Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!’
Maskarenjtë i kemi patur me shumicë. Hakërrimat kundër tyre nuk na kanë munguar. Ajo që na ka munguar e na mungon është qytetari dhe qytetaria. Ose thënë ndryshe lenda e parë për të ndërtuar demokraci.
Qysh prej 10 mijë e kusur vjetësh, bota ka patur me shumicë sojlinj, mbretër, princër, zengjinë që kanë qeverisur si ua ka thënë koka e si ua ka dashur qejfi, me një fjalë kanë shirë në kurriz të popullit fukara.
Por demokracitë funksionale u ndërtuan vetëm dy shekujt e fundit, kur në skenë doli qytetari dhe nisi të ushtronte trysni e të kërcënonte me bashkësi, sindikata, greva, protesta, votë dhe, jo rrallë edhe me armë.
Ndruaj se në ditët tona, pa qytetarin dhe qytetarinë, pa solidaritet, organizim e protesta, hakërrimat ndaj atyre që janë lart rrezikojnë të mbeten fjalë boshe, shfryrje qaramanësh.