Një vatër zjarri në Kukës mbi tunelin e Kalimashit është shndërruar në një problem serioz, pasi flakët të ndihmuar edhe nga era po përhapen duke krijuar pamje apokaliptike. Janë marrë masat e evakuimit të banorëve bashkë me bagëtitë, ndërkohë që Kosova ka nisur forcat ndihmëse të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Aktualisht forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset, bashkë me të Kosovës janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku situata ka dalë jashtë kontrollit. Si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri i është tunelit dhe vijon të përhapet drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve.
Edhe në Majën e Rrunës në Kukës situata e zjarrit vijon të jetë ende problematike. Ndonëse gjatë ditës së sotme helikopteri ka ndërhyrë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca nga komunitet, mjet zjarrfikës si dhe forca te emergjencës civile te Bashkisë Kukës. Edhe një vatër e re zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Ahishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës.
Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, gjë që duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon.
Pas ditësh të tëra luftë me flakët, është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes operacioni vijon ende për të normalizuar situatën, në një kohë që në Malin e Dukatit për herë të parë pas shumë ditësh, nuk shihet vatër zjarri.
Edhe në Karaburun situata paraqitet me rrezikshmëri të lartë në zonën e quajtur Gropat e Pirit. Ndërsa zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik. Nga ana tjetër, përmirësim të situatës ka shfaqur zjarri në pyjet e Voskopojës, ku zjarri i rënë mbrëmë është drejt shuarjes, por dëmet janë të mëdha. Vatra e zjarrit e rënë dje në pyjet me pisha të Krushovës janë pothuajse drejt fikjes. Rënia e intensitetit të flakëve ka ardhur edhe si pasojë e temperaturave të ulura gjatë natës.Në terren janë punonjës, zjarrfikës dhe forca të armatosura që kanë nisur punën që në 5 të mëngjesit, ku ka ende dy vatra të vogla aktive një në pyjet e Krushovës dhe një në fshatin Gjonomadh.
Në Gjonomadh, zjarr i cili ka rënë që ditën e djeshme, janë 10 trupa zjarrfikëse të cilat janë duke u përpjekur për të izoluar flakët. Edhe në fshatin Gjorgos të Fier situata është përmirësuar ndjeshëm ku flakët janë vënë në kontroll dhe po mundohen të shuhen nga zjarrfikësja.
Tashmë është drejt shuarjes zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër, zjarri në fshatin Bogë në Shkodër, është izoluar vatra në Parkun e Tomorrit në Berat. Ndërsa ka një riaktivizim zjarri në Zogas të Skraparit, ku forcat po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll. Vatra të reja janë raportuar edhe në fshatin Shetaj në Ishëm të Durrësit, pa rrezik për banesat.