Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe 1 i paraburgosur në Burgun 313 në Tiranë të cilët organizuan dhe më pas tentuan arratisjen janë vendosur për 90 ditë në izolim. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka mësuar se vijojnë hetimet e Shërbimeve të Kontrollit të Burgjeve ndërkohë që mësohet se arratisja ka qenë e planifikuar prej disa javësh. Sipas ligjit Çekaj, Pjetri e i paraburgosuri do izolohen për 90 ditë, s’do të kenë kontakte me familjarë apo të burgosur.
Një skemë arratisjeje e mirëorganizuar është tentuar të vihet në zbatim nga tre të burgosur në qelitë e institucionit të vuajtjes së dënimit “Jordan Misja” (313) në kryeqytet ditën e djeshme. Arbër Çekaj, i dënuar me 14 vjet heqje lirie për trafikun e 613 kilogramëve kokainë nga Ekuadori, Fatmir Pjetri anëtar i bandës së babagjyshëve dhe një i parburgosur tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, kishin planifikuar arratisjen nga qelitë këtë të diel, por pa mundur ta realizojnë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, plani ka nisur të vihet në zbatim me tentativën e të paraburgosurit për të prerë damarët, për të tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e stafit të burgut 313.
Në momentin kur forcat e sigurisë janë angazhuar për ta shoqëruar në spital, ka hyrë në veprim Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët kanë tentuar të arratisen gjatë orarit të ajrimit. Pikërisht në ato momente ata janë pikasur punonjësit e policisë së burgut, të cilët kanë marrë masat për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Gjatë tentativës për të dalë, dy të paraburgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.
Sipas drejtorisë së burgjeve, të burgosurit do të përballen me akuzën e tentativës për arratisje “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” si dhe goditje për shkak të detyrës. Pas kësaj ngjarjeje instancat drejtuese të burgjeve kanë urdhëruar rivlerësimin e masave të sigurisë si dhe marrjen e masave administrative për rritjen e gadishmërisë në të gjitha institucionet penitenciare.
Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit ka lënë në fuqi dënimin me 14 vite burg për Arbër Çekajn, pronari i kontejnerit me banane e kapur me 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Arben Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 14 vite burg. Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane.
Kurse Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet. Fatmir Pjetri pas arrestimit në Holandë në 24 nëntor të 2017 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
/b.h