Ndeshja Betis-Roma në Spanjë ishte një miqësore, por kurrsesi s’mund të jetë një ndeshje pa tensione kur pjesë është Jose Mourinho.
Në Spanjë, Roma nuk arriti të gjejë fitore kundër Betis Sevilla duke humbur me shifra 5-2. Një përballje që prodhoi dhe katër kartona të kuq për Romën, gjithçka nisi kur Real Betis shënoi golin e avantazhit 3-2, por lojtari spanjoll shënoi falë ndihmës së dorës.
Arbitri nuk e pa rastin në fjalë dhe e cilësoi si të rregullt. Kaq mjaftoi që të niste kaosi. Pelegrini dhe Mancini u ndëshkuan me kartonin e dytë të verdhë për të dalë me të kuqin për shkakun e protestave.
Mourinho nuk priti më gjatë dhe hyri në fushën e blertë për t’u përleshur me arbitrin, duke parë kartonin e kuq para syve. E si për të përmbyllur listën e ndëshkimeve ishte Kardsorp që mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 79 për t’ia bërë Betis më të lehtë që të fitonte 5-2.