Pas “censurës” nga ana e Google, autori i “L’infinito errore. La storia segreta di una pandemia che si doveva evitare” paralajmëron për rreziqet e reja që kërcënojnë lirinë dhe demokracinë.
Libri investigim i ri i Fabrizio Gatti, “L’infinito errore. La storia segreta di una pandemia che si doveva evitare” ka përfunduar në blacklist e Google. Faktikisht autori kishte dhënë një intervistë për një podcast që titullari donte ta sponsorizonte në YouTube. Sponsorizimet i nënshtrohen verifikimit nga ana e Google, që ja ka justifikuar ndalimin me këtë mesazh: “Ju informojmë se në vijim të verifikimeve të kryera nga stafi ynë departamenti konfirmon mosmiratimin e videos së fushatës “pdr Gatti” për ngjarje të ndjeshme lidhur me Covid-19 (mund të gjeni notën informuese të politikës)”.
Fabrizio Gatti, pse videoja ku flitej për librin tuaj ka përfunduar në kthetrat e algoritmit të Google?
Ndalimi i Google vjen pas një interviste timen në podcast e Daniele Rielli, që veç të tjerash është autor i dy librave interesantë lidhur me temën, përkatësisht “Odio” dhe “Storie dal mondo nuovo”. Sinjalizimi automatik i algoritmit, siç lexohet në motivacionin e shkurtër, është konfirmuar më pas nga një “departament” i papërcaktuar i Google. Pse-ja fshihet pas dy konceptesh të tjera të vetë motivacionit: “mosmiratim” dhe “ngjarje të ndjeshme”. Me pak fjalë Google, oligopoli që përqëndron në arkëtimin e tij pjesë të madhe të publicitetit dhe të të dhënave personale të planetit, tani merret edhe me përmbajtje jo mbi bazën e autenticitetit objektiv të tyre, por me kategori subjektive dhe të paqarta si pëlqimi dhe ndjeshmëria. Në librin tim “L’infinito errore” përshkruaj me dokumenta të pabotuara një diktaturë të pamëshirshme, e cila në Kinë shtyp çdo formë mosdakordësie dhe që ua ka mbyllur gojën deri mjekëve të Wuhan që kanë denoncuar të parët epideminë e pulmoniteve, megjithëse duke e ditur qysh nga 7 janari 2020 afërsinë e e koronavirusit të ri me dy virusët e izoluara gjatë eksperimenteve ushtarake kineze.
Nga kush përbëhet departamenti misterioz i Google? Duke lexuar motivacionin anonim të tyre, nuk më duket se janë studiues kompetentë që kanë verifikuar dokumentat që botoj në librin tim. Paaftësi, nënshtrim ndaj presionit kinez, abuzim me konceptin e politically-correcteness janë të njëjtit binarë mbi të cilët virusi Sars-CoV-2 ka ardhur në Itali e më pas në botë. Sikur të ishte një kompani e nënshtruar rregullave të duhur të konkurrencës së lirë, promovimi i këtij apo atij libri do të përhapej në platformat konkurrente joGoogle dhe çështja do të mbyllej këtu. Por po flasim për një kuazimonopol, edhe prej shifrave të përbindshme në menaxhimin dhe në sigurimin e të dhënave tona: është ky dimension që i bën vendimet e Google një problem të rëndë për liritë tona. Për sa u përket algoritmeve, zbulojmë se në analizën e përmbajtjeve ato të amerikanes Google janë në sintoni mjaft të ngushtë jo me kushtetutën e demokracive perëndimore, por me ndjeshmërinë e Partisë Komuniste Kineze.
Sipas jush, a mund të flitet për censurë? Nëse po, pse; nëse jo, pse?
Çfarë ka ndodhur me podcast e Daniele Rielli është forma më dinake e censurës klasike. Google nuk e eliminon “L’infinito errore” nga indikacionet e tij, por paralajmëron mikrokreditorët e shumtë e videove, blogëve, uebsajteve se nëse dëshirojnë të flasin për librin në platformat Google, atëehee nuk do të fitojnë asnjë qindarkë. Google ndërhyn pa e analizuar përmbajtjen e librit, por mbi bazën e mosmiratimit nga ana e departamenti fantazëm të cilit nuk i njohim as emrat e anëtarëve, as kurrikulat e tyre. Ndërkohë, me këtë masë, libri dhe imagjinoj edhe emri im kanë përfunduar në blacklist e platformës globale. Cilës pandjeshmëri time i referohet Google? Do të duhej ta quaja Xi Jinping diktatoruc apo ndonjë prej ministrave më aleatë kryesorë të tij në Europë Giggino (referimi është për Luigi Di Maio)? Censura e kap. Idiotësia shmanget, rrëshqet. Ama të gjitha regjimet, qysh nga lindja e tyre, kanë gjithmonë një amëz idiote.
Këto mekanizma janë vënë në lëvizje nga menaxhuesit e platformave teorikisht për të ruajtur përdoruesit nga informacione false apo të deformuara, por siç po e shohim mund të përfundojnë brenda edhe produkte me vlerë të madhe gazetareske si i joti: çfarë nuk funksionon nga mekanizmi?
Në udhëtimin tim lidhur me koronavirusin, nga shpellat e lakuriqëve të natës tek laboratorët kineze e deri brenda shtëpive tona demonstroj sesi, me frenimin e pandemisë nëpërmjet përhapjes së vaksinave, do të vazhdojmë të merremi me dy pandemi të tjera të rrezikshme: totalitarizmin e Partisë Komuniste Kineze me penetrimin e saj të pandalshëm në ekonomitë e botës dhe regjimet dixhitale, domethënë platformat e pakta që përqëndrojnë sasi të dhënash private, siç nuk i ka ndodhur kurrë më parë njerëzimit. Në Kinë qysh sot, duke filluar nga shtypja e protestave të Hong Kongut, nuk ka asnjë diferencë midis aparateve të partisë së vetme dhe aparatit të algoritmeve me të cilat kontrollohen komunikimet dhe mediat sociale. E njëjta shpejtësi dhe cektësi me të cilën kam përfunduar në blacklist e Google demonstron një sintoni të madhe midis totalitarizmave dhe pushteteve të rinj dixhitalë.
Çfarë nuk funksionon? Sipas meje, nga këndvështrimi i tyre, mekanizmi funksionon shumë mirë. Nuk duhet as të humbin kohë për të lexuar një libër dhe ta vendosin mbi kategori shkencore që të gjithë ne i respektojmë, kur verifikojmë se ajo që shprehet është e vërtetë apo false. Google nuk ka bërë gabim që më ka futur në blacklist e tij. Thjesht ka zbatuar logjikën e tij. Informacioni në demokraci bazohet mbi një parim themelor: përgjegjësinë personale, penale e civile, për atë që botohet. Është për këtë arësye që nëpër gazeta, lajme televizive, ubesajte informacioni ekziston një drejtor përgjegjës. Por këtij detyrimi të parashikuar nga ligji platformat e mëdha i janë shmangur gjithmonë. Roli u është besuar algoritmeve, domethënë departamenteve të programuesve që fusin nëpër algoritme fjalor me fjalë të ndjeshme. Një fjalor gjithmonë sekret, si në Kinë. Nga shpikjes nuk kthehesh prapa. Ama është pikërisht kjo stërfuqi e algoritmeve, përveçse penetrimit kudo të regjimit totalitar kinez, pandemia tjetër që pas Sars-CoV-2 do të duhet ta frenojmë sa më shpejt. Por prapa algoritmeve ka kompani dhe arkëtime të paprecedent. Të imagjinosh se pushteti aktual ekonomik i tyre të mos transformohet shpejt në pushtet politik, kulturor, hegjemonist është një naivitet i madh. Reflektimin lidhur me rrugëdaljet e mundshme na e ofron një libër i dalë para pak kohësh, “Statosauri” i Massimo Russo.
YouTube, Facebook, Instagram, Google etj. bllokojnë në mënyrë sistematike profile dhe postime jokonform me standardet e tyre. Nga njëra anë gëzohemi kur ndalohen profile që himnizojnë racizmin po dhunën, por pavarësisht nga çfarë ndalohen këto ndërhyrje nuk vendosen nga një pushtet publik subjekt i kontrollit demokratik, por nga subjekte privatë jashtëzakonisht të fuqishëm: a nuk përfaqëson kjo një kërcënim për lirinë e mendimit dhe demokracinë?
Natyrisht që po, përfaqësojnë një kërcënim të rëndë, por jo vetëm pse pasi kanë favorizuar zgjedhjen e Donald Trump, tani zbatojnë një politically correctness të kundërt kur e censurojnë: sot nuk është për ta jopopullore që ta bëjnë, duke parë se nga masa e tëdhënave në posedim të tyre e i dinë paraprakisht orientimet e elektoratit amerikan. Bllokimi i mesazheve haptazi raciste dhe të dhunshme shërben për të na siguruar që të pranojmë dhe të përdorim mjetet e tyre, domethënë të bindemi që t’u japim të dhënat tona personale, mendimet tona: në atë shkruhet postimi, Facebook na pyet “Për çfarë po mendon?”. Ndërkohë programuesit që qeverisin algoritmet, që nga ana e tyre qeverisin mediat sociale, vlerësojnë një dhunë mediatike të ashpër të përbërë nga polemika shterpë, thjesht duke i amplifikuar përmbajtjet më të ulëritura dhe duke ia ofruar në dëshmi publikut.
Le të marrim përvojën e këtyre muajve: virologë kundër virologëve; një shkrimtare e famshme radiofonike që kapet me uniformën e gjeneralit të zot Figliuolo, por pa e prekur kryeministrin Draghi që e ka emëruar; një shkrimtar 40 vjeçar që rrëfen se është vaksinuar në vend të një 80 vjeçari. E bëjnë këtë jo për ta informuar, por për t’u dukur, për t’u rritur në audiencën personale e përcaktuar nga algoritmet dixhitale. Të gjithë kundër të gjithëve, në një betejë të përditshme. Mediat sociale kanë nevojë për personazhe si ta. Për të mbushur hapësirat e tyre dixhitale kanë nevojë kudo për përplasjen verbale. Përndryshe do të ishin desert media. Ushqehen me këtë dhunë dinake, ndoshta të mveshur me ndjeshmëri dhe me politically correctness. Si do të përfundojnë demokracitë tona të nënshtruara ndaj këtyre aparateve të shkatërrimit në masë? Cili do të jetë çmimi i gjithë kësaj? Na e thotë Valerij Legasov, pas katastrofës së Çernobilit: “Rreziku i vërtetë është se nëqoftëse dëgjojmë shumë gënjeshtra, më pas nuk e njohim më të vërtetën”.
Jo rastësisht, kur në Wuhan vdes doktori Li Wenliang, kolegët e tij përdorin pikërisht këto fjalë. Kështu që del një libër si “L’infinito errore” i cili kryqëzon dokumenta, artikuj shkencorë, fakte dhe e gjitha kjo përfundon në blacklist pikërisht pse investigimi nuk i përket korit, por kritikës me dokumenta në dorë të një diktature mizore si ajo kineze dhe e aleatëve të saj në qeverit perëndimore, duke filluar nga qeveria e Giuseppe Conte që nuk i ka marrë në kohë masat që duhej ta frenonin pandeminë. Google, saktësisht siç bëri Giuseppe Conte më 4 shkurt të 2020, pretendon të na japë një mësim: mos prekni interesat kineze. Në zbulimin dhe demonstrimin e kësaj, jam i pandjeshëm? Si gazetar dhe autor investigimesh bëj vetëm një pyetje: ajo që kam gjetur është e vërtetë apo false? Nëse është e vërtetë dhe e dokumentueshme, e shkruaj.
Më vjen në mendje diskutimi i vitit 2004 i presidentit francez Jaques Chirac kur i hap rrugën garës shkencore që do ta detyrojë diktaturën e Pekinit të kultivojë dhe izolojë rreth 2000 koronavirusë të rinj të nxjerrë nga lakuriqët e natës: “Një treg ku çdo vit 5 milion automobila të rinj, sidomos të projektimit francez falë zhvillimit të Peugeot – Citroën e të Renault”, thotë Chirac, “përshkojnë atë që sot është bërë rrjeti i dytë autorrugor në botë…”. Njëlloj si finalja e Animal Factory të George Orwell: turbokapitalistë dhe komunistë luajnë bashkë prej vitesh. Por falë kontributit të platformave dixhitale, nga skenari orwellian i 1984 kemi hyrë direkt në atë po aq rrënqethës të Brave New World të Aldous Huxley. Një botë e bukur, teknologjikisht e avancuar, në dukje e përkryer. Të duket sikur shesh Kinën e sotme.
Kjo ngjarje ka pasur pasoja edhe ndaj shitjes së libraave? Për shembull, janë verifikuar probleme me platformat e shitjes së librave si Amazon?
Përhapja e “L’infinito errore” me siguri që do penalizohet, sepse me masën e saj Google indirekt fton blogerët, autorët e podcast, influencer që të mos e promovojnë. Ama mbështetem mbi njerëz të pavarur si Daniele Rielli, që e mbron të drejtën e tij kushtetuese për të informuar dhe sigurisht që jo interesat e një shumëkombësheje. Pastaj mbështetem mbi lexues kureshtarë jashtëzakonisht të shumtë që dëshirojnë të informohen nga dokumentat dhe që janë të lodhur prej modelit televiziv e dixhital që prej 1 viti e gjysmë paraqet të njëjtën polemikë të njëjtë shterpë. Bota reale janë ata, jo departamenti fantazëm i Google.
(nga MicroMega, përgatiti për TemA Armin Tirana)