“Popullata që nuk e ka kaluar koronavirusin apo nuk është vaksinuar është vulnerabël dhe ka rrezik më të lartë. Vaksinat është efikase pasi ul sëmundshmërinë apo vdekshmërinë, por unë besoj se testi i vërtetë do të jetë vjeshta dhe dimri”.
Kështu u shpreh në Ditarin e mbrëmjes në A2 epidemiologu Taulant Muka teksa foli për pandeminë dhe vaksinimin.
Sa i përket variantit Delta, epidemiologu u shpreh se nuk ka shumë ndryshim nga variantet e mëparshme edhe pse më parë u fol se ka një sëmundshmëri më të lartë.
“Le të qetësojmë publikun, mendohet se varianti Delta është më i transmetueshëm se variantet që kanë qarkulluar më parë, por nëse shikojmë raportet e fundit nga Britania e Madhe, del se ky variant ka pak ndryshime. Në Shqipëria është e vështirë të komentosh numrat, pa ditur se ku bëhen këto tamponë.
Mendohet se në Shqipëri ka një imunitet të shtuar për shkak të imunitetit natyral. Në këtë kontekst, mbrojtja natyrale, së bashku me vaksinën, bëjnë një diferencim në patologji. Edhe një studim i fundit ka dalë në përfundimin se Delta nuk është më i rrezikshëm, madje shkakton një sëmundshmëri më të ulët se varianti Alfa”.
/b.h