Situata e zjarreve në Greqi vijon të jetë kritike. Kryeministri i vendit Kyriakos Mitsotakis, në një dalje televizive, iu bëri të ditur qytetarëve që nata do të jetë e vështirë.
Mitsotakis u shpreh se përparësi për qeverinë mbetet mbrojtja e qytetarëve ndërsa theksoi se të gjitha problemet është e pamundur që të adresohen.
Kreu i shtetit helen, sipas raportimeve, tha se vendi është duke u përballur me një situatë jashtëzakonisht kritike.
“Pas 10 ditësh të nxehtësisë ne jemi të thirrur për të menaxhuar dhjetëra zjarre pyjorë njëkohësisht. Tre prej tyre, në Atikë, Evia dhe Ilia janë me përmasa dhe intensitet të madh. Prioriteti ynë është gjithmonë mbrojtja e jetës njerëzore. Kjo pasohet nga mbrojtja e pronës, mjedisit natyror dhe infrastrukturës kritike. Fatkeqësisht, në këto rrethana, arritja e të gjitha këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë është thjesht e pamundur”.
Kyriakos Mitsotakis shprehu gjithashtu mirënjohjen për forcat e Brigadës së Zjarrit ndërsa pranoi se ndonjëherë janë detyruar që t’u kërkojnë të “bëjnë gjëra që janë thjesht përtej fuqisë së tyre.”
“Fatkeqësisht, vështirësitë janë ende para nesh dhe nata e ardhshme është kërcënuese. Nesër presim erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit tonë. Po flasim për kushte të pashembullta pasi kanë paraprirë shumë ditë nxehtësie intensive që e ka kthyer vendin në një fuçi pluhuri”.
Mbrojtja Civile, sipas kryeministrit grek, ka hartuar një plan emergjence duke futur gjashtë rajone përfshirë Atikën, në gjendje alarmi të kuq.
“Unë ju nxis të kufizoni udhëtimet e panevojshme dhe të jeni jashtëzakonisht të kujdesshëm. Nëse lëshohet një urdhër evakuimi nga një zonë, ju lutemi respektoni. Shtëpitë do rindërtohen dhe pemët do të mbijnë përsëri, por jeta njerëzore nuk mund zëvendësohet”.
/a.r