Nga Mero Baze
Sali Berisha i harxhoi gjithë fishekët kundër SHBA, në një përpjekje për t’u dëshmuar atyre se ka pas Partinë Demokratike dhe do të mobilizojë trefishin e mbështetësve, për kauzën e tij kundër SHBA.
Sali Berisha, ngjan sot një njeri që po lufton për të shpëtuar SHBA dhe botën nga “klika” Biden -Blinken” dhe përfaqësuesja e tyre në Tiranë Yuri Kim. Ai po përpiqet të imitojë Che Guevarën për një revolucion mbarë botëror kundër SHBA, me ndryshimin e fortë se Che kishte parime të gabuara dhe ideale të mëdha, kurse ky; halle të mëdha, ngaqë nuk ka asnjë parim.
Dhe rezultatet e tanishme tregojnë se Sali Berisha deri tani po bën revolucion vetëm në “gotën” e vet, në Partinë Demokratike. Ai po terrorizon lidershipin e kësaj partie, duke marrë përditë e më shumë pozicione radikale, që ata të mos kenë më shans të jenë neutralë duke e konsideruar një gjë pa shumë rëndësi këtë debat.
Sot Sali Berisha bëri thirrje për një kryengritje kundër SHBA në Tiranë dhe u betua që do t’i shkojë këtij revolucioni deri në fund, dhe askush nga PD nuk e kundërshtoi. Lulzim Basha ka fikur telefonin dhe i vetmi njeri diabolik që po kënaqet nga gjithë kjo skenë është Tritan Shehu, i cili i del në krah, jo se do ta mbrojë, por se dëshiron që Berisha të thellojë rrugën që ka nisur, që ai të ndjehet tërësisht i sigurt se më në fund do ta shikojë të vdekur e ta pavarrosur një njeri që e ka pasur familjarisht si tutor gjithë jetën.
Të tjerët po heshtin. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë për komandantin e revolucionit. Ushtarët nuk po brohorasin thirrjen për luftë, por as po dezertojnë. Presin një sinjal.
Nga ana tjetër kryengritja e Berishës kundër SHBA shikohet me përçmim dhe pa asnjë kuriozitet nga shtypi ndërkombëtar. Asnjë gazetë serioze ndërkombëtare nuk ka marrë mundimin as ta konsiderojë ngjarje, përpëlitjet e Sali Berishës që ngjan me një zagar të lidhur me zinxhir që kauis t’i prishë qetësinë lagjes, ndërsa është duke dhënë shpirt.
Bojkoti i shtypit ndërkombëtar ndaj tij, është ilustrim i parëndësisë së tij, dhe reagimit vulgar që ka ndaj një vendimi që jo vetëm e meriton, por që po meriton dhe më shumë se kaq, pas kësaj.
Njoftimi i tij qesharak se avokati i tij ka dorëzuar padinë në një gjykatë në Francë, i vë vulën gjithë vulgaritetit të këtij njeriu që ka sjellë vërdallë Shqipërinë për 30 vjet, e tani i vjen mendja vërdallë, pasi është damkosur para shqiptarëve si hajdut- familjarisht, si njeri që ka minuar demokracinë dhe ka shantazhuar drejtësinë shqiptare.
Lufta e tij e re me SHBA dhe mbi të gjithë, premtimi i tij solemn për të fituar betejën me SHBA, është lajmi më i mirë për çdo armik të tij, për çdo kundërshtar të tij, bile dhe për çdo bashkëpunëtor të tij, që nuk ka guxim ta bëjë vetë atë luftë. Më besoni, është lajm i mirë dhe për Tritan Shehun. I shkëlqen fytyra kur del e mbron, me shpresë ta vazhdojë këtë marrëzi. Vetëm për demokratët shqiptarë, ata të vërtetët, që kanë besuar tek Berisha e SHBA njëkohësisht, është një lajm i zi, pasi ata po përballen me një gënjeshtër 30 vjeçare, që quhet Sali Berisha.