Pesë gratë e riatdhesuara pak ditë më parë në vendin tonë nga kampet e Sirisë, janë marrë në pyetje nga Anti-terrori. Burime pranë këtij institucioni pohuan për ABC se nuk është mundur të përftohet një dëshmi e tyre, për shkak të gjendjes së tyre të rënduar psikologjike.
Nga qendra rehabilituese në Durrës ku u çuan pasi prekën tokën shqiptare, të pesta gratë u kanë kërkuar agjentëve të Anti-terrorit në Policinë e Shtetit që dëshmia e tyre të merret në një moment të dytë, sapo gjendja e tyre të rikuperohet.
Të dielën u riatdhesuan Ruzhdije Balliu, Lavdie Kaca, Brunilda Koçollari, Emanuela Vladi, dhe Klotilda Zani, e njohur ndryshe me mbiemrin Cami. Dëshmitë e tyre do të jenë të vlefshme edhe për prokurorët e SPAK, të cilët do t’u duhet të verifikojnë rrugën që kanë ndjekur ato nga vendi ynë drejt Sirisë.
Ky verifikim do të bëhet mbi bazën e një procedimi penal të nisur më herët nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të identifikuar se kush kanë qenë rekrutuesit dhe financuesit që kanë ndihmuar këta persona për të kaluar nga Shqipëria drejt Turqisë, e me destinacion final Sirinë, për rekrutuesit financuesit dhe personat që i kanë ndihmuar këto shtetase që të kalojnë nga Shqipëria përmes itenerarit nga Turqia me destinacion final Sirinë, për të luftuar më pas me ISIS-in.
Bashkë me 5 gratë, nga Tirana, Librazhdi e Dibra, u riatdhesuan dhe 14 fëmijët e tyre. Tashmë ata po trajtohen me psikologë e punonjës socialë për t’u integruar në vendin tonë. Ndërsa më herët, në Tetor të vitit të shkuar u riatdhesuan nga kampet siriane 11-vjeçari Endri Dumani, si dhe Floresha Rasha me 3 fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha. /m.j