Nga Plator Nesturi
Kreu i PD gjeti sërish kohë të ngushëllojë me status humbjen e një ish-deputeti demokrat por si gjithmonë i shmanget si nga djalli çështjes së të gjallëve. Dhe kjo çështje është shndërruar në një patate të nxehtë në dorën e Bashës. U bënë shumë ditë që nga kërkesa e drejtpërdrejtë e ambasadores së SHBA për të mbajtur një qëndrim të qartë lidhur me ish kryeministrin Berisha me këshillën se fati i një partie plitike nuk mund të lidhet me fatin e ish liderit të saj që është shpallur përson non grata nga Departamenti i Shtetit. Nga Basha ka vetëm heshtje në gjithë këto ditë. Asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje ndonëse trysnia ka qenë e madhe ndaj tij, si mediatike ashtu dhe nga segmente të politikës dhe fraksione në PD. Nga ana e tij, Berisha e ka bërë të qartë se është për betejë të ashpër dhe jo vetëm do të jetë pjesë e parlamentit në shtator por se do të tërheqë në kauzën e tij luftarave ndaj gjithkujt edhe vetë PD. Po ashtu dhe idhtarët e tij kanë shtuar presionet ndaj Bashës me kërcënimin se nëse lëshon Berishën më mirë të shkojë të kërkojë strehim në kampin e majtë. Situata është inkandeshente në selinë blu, me qëndrime diametralisht të kundërta, pro Berishë në antitezë me pro PD, nga ku të parët për hir të liderit të tyre shpirtëor janë të gatshëm të shpallen deri në antiamerikanizëm. Çka natyrshëm do të ketë pasoja për ardhmërinë dhe peshën e PD në betejat e mëtejshme elektorale apo si partner i besueshëm në tryezat me ndërkombëtarët. Në gjithë këtë rrëmujë Basha mbetet i pavendosur si të veprojë. Sytë i ka sërish nga Berisha se mos zgjidhjen e jep ai. Në fakt deri më tani për çështjet kryesore zgjidhjet kanë ardhur nga i njëti Berishë që sot ndodhet në hall. Ndaj Basha mbetet në pritje. Deri më sot nuk i janë djegur duart ndonjëherë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri. Ndaj pas gjithë këtyre ditëve nuk ka asnjë prononcim, asnjë lëvizje politike si përshembull të mbidhte ndonjë forum partie për ti dhënë qëndrimit ndaj Berishës një vendim më kolegjial. Asgje nga këto. Basha thjesht mbete në pritje çdo të ndodhë nga të tjerët. Pavarësisht se në vapën e gushtit, në oborrin e PD ka rënë një zjarr aq i mbrapshtë që nuk ka zjarrfikës ta shuajë./ fjala.al