Shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cilësojnë aktorët dhe aktivistët kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë tokën ku ngrihej Teatri Kombëtar.
Ata thanë se vendimi i Këshillit të Ministrave vendos në pikëpyetje funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Aktivistët hodhën akuza dhe ndaj ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për të cilën u shprehën se është bërë palë me mafien.
Edmond Budina: Mafia e ka zaptuar shtetin në mënyrën më skandaloze, një vendim i Gjykatës Kushtetuese që shkelet me këmbë vetëm në një shtet mafioz mund të ndodhë dhe kjo është e paprecedentë jo në Shqipëri por të gjithë botën dhe Europën. Të shpërbësh dhe shkelësh me këmbë një vendim të Gjykatës Kushtetuese vetëm një shtet mafioz, fashist mund ta bëjë këtë gjë. Jemi të vendosur dhe këtu gjërat nuk janë të rastësishme.
Dje u mor ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe në të njëjtën kohë paralelisht u bë një takim i Ambasadores amerikane me kryetarin e opozitës dhe i kërkoi përjashtimin e një deputeti të zgjedhur me votat e popullit shqiptar duke shkelur të gjitha nenet ndërkombëtare, autonominë e këtij vendi kushdo qoftë ai deputet. Nëse keni fakte çojini në gjyq dhe nëse nuk keni fakte nuk keni të drejtë ta bëni këtë gjë. Këtu është organizuar gjithçka për të kaluar këtë vendim të Këshillit të Ministrave.
Ambasadores amerikane i bën përshtypje dhe kërkon largimin e një deputeti të zgjedhur me votat e popullit dhe nuk i bën aspak përshtypje shkelja e Kushtetutës së këtij vendi, hesht dhe bëhet palë me mafian shqiptare.
Jemi këtu ti themi që do ta ndalojmë me çdo kusht në DASH, në komunitetin europian, në Parlamentin Europian, kudo që të jetë luftën për drejtësi do ta vazhdojmë. Nuk fitojmë asgjë përveç vendosjes së të drejtës, vendosjes së demokracisë. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë së pari të mos heshtin në këtë shkelje të rëndë të demokracisë që po ndodh në Shqipëri, të gjithë bashkë duhet të ngrihemi kundër kësaj kaste mafioze, fashiste që ka pushtuar vendin. Të shkelësh vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të thotë të kesh çdo gjë në dorë dhe ne nuk duhet ta lejojmë, intelektualët e këtij vendi duhet të ngrihen sëbashku me popullin, nuk duhet ta lënë më këtë vend në mëshirën e një bande mafioze.
Shpresat i kanë te SPAK por nëse ky organ nuk do të veprojë atëherë do t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare.
Aktorët dhe aktivistët i bën thirrje qytetarëve, opozitës dhe Presidentit të mos heshtin dhe të mbrojnë kauzën e tyre, për të cilën thanë se do t`i shkojnë deri në fund.
Edmond Budina: I bëj thirrje opozitës të mos heshtë për të gjithë këto probleme të rënda që po ndodhin, i bëj thirrje presidentit që edhe ai të reagojë me çdo kusht për këtë që po ndodh në vendin tonë duke shkelur ligje themeltare të shtetit shqiptar. Po ashtu kam një thirrje të veçantë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që morën një vendim shumë të saktë dhe ai vendim u shkel me këmbë, të nderuar gjyqtarë ju që morët një vendim shumë të drejtë, me koshiencë, të bindur, a jeni të bindur që ky shtet ju ka vënë priftërinj dhe ju rruan mjekrën, atëherë ju duhet të shpreheni publikisht dhe nëse keni kurajon të jepni dhe dorëheqjen qoftë në mënyrë të përbashkët qoftë në mëntrë individuale për të treguar se përpara në këtë vend nuk shkohet duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Ne jemi këtu bashkë me ju për të mbrojtur dinjitetin, kulturën, demokracinë dhe Kushtetutën e këtij vendi.