Ministrja për Marrëdhëniet e Parlamentit, Elisa Spiropali tha në studion e ‘Java në RTSG’ se “opozita humbi në zgjedhjet e 25 prillit për të gjitha arsyet, por mbi të gjitha për faktin se Lulzim Basha dhe Partia Demokratike besonin se koha mjafton për të fituar, se koha rrjedh dhe ajo sjell fitoren pa bërë asgjë, pa thënë asgjë që mbetet dhe mbi të gjitha duke shpifur shumë, abuzuar tepër dhe duke u bërë i pabesueshëm”.
Duke perifrazuar një ediotorial të analistit Lorenc Vangjeli, deputetja socialiste tha: “Ju kishit bërë një investigim për rastin e Astirit dhe lexova pikërisht elementë të kësaj. Nuk është e nevojshme për të hyrë në detaje, por është një shembull për të thënë se i gjithë tejkalimi i së drejtës të kthehet kundër. Dhe kjo ka ndodhur vitet e fundit me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike”.
Sipas saj një nga arsyet e humbjes së opozitës është edhe përfshirja e saj në aksione të pavërteta dhe shpesh të trilluara apo të ekzagjeruara.
“Kjo ka ardhur nga mungesa e sinqeritetit dhe besueshmëria, braktisja e institucioneve, aksionet ekstreme, por edhe aksione politike që e kanë çuar në rrënim dhe dështim” – tha Elisa Spiropali për “Java në RTSH”.
Kujtojmë se skandali i Astirit në fund te vitit 2018 i kushtoi shtrenjtë vendit. Projekti jetik i infrastrukturës u pezullua pasi media zbuloi se nje nga kompani në garë kishte fallsifikuar dokumentat. Opozita e shfrytëzoi këtë rast dhe instrumentalizoi problemin e banorëve që shpronësoheshin nga projekti.
Për javë të tëra ajo që u quajt beteja e Astirit solli përplasje të dhunshme me policinë dhe kushtëzoi ndryshime radikale në qeveri. Damian Gjiknuri ishte një nga ministrat e rëndësishëm që u largua.
Tre vjet më pas projekti po shkon drejt përfundimit duke i dhënë një frymëmarrje thelbësore trafikut në hyrje të Tiranës. PD humbi edhe në 25 prill votat në këtë zonë të Tiranës.
JavaNews.al botoi një investigim javën e shkuar ku zbuloi të gjithë mitet e ngritura mbi këtë skandal duke zbuluar të vërtetën aksiomatike të inxhinierëve të ndërtimit: Armiqtë e rrugëve janë politikanët. Dhe Astiri është monumenti i jashtëzakonshëm i viktimizimit të një projekti për shkak të betejës së pandershme politike.