Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas caktimit të gjykatësit të nëntë të Gjykatës së Lartë.
Në një postim në rrjetet sociale, diplomatja amerikane falenderon Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Presidencën ndërsa shton se mbetet për t’u caktuar edhe një gjykatës në mënyrë që Gjykata e Lartë të caktojë gjykatës për Kushtetuesen.
“Le të ecim përpara hap pas hapi, në mënyrë që reforma në drejtësi të mund të sjellë më shumë rezultate dhe që Shqipëria të qëndrojë në rrugën drejt BE-së,” shprehet më tej Yuri Kim.
Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta ka firmosur sot dekretin për emërimin e Asim Vokshit në Gjykatën e Lartë. Me dekretimin e Vokshit që vjen nga radhët e gjyqtarëve numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që janë emëruar shkon në 9, duke e çuar drejt funksionimit, teksa numri i dosjeve që presin për gjykim është me mijëra. Në total Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 gjyqtarë.
/b.h