Ekonomisti Dritan Shano foli për mbylljen e sezonit politik, duke u shprehur se veprimet e opozitës ndihmuan mazhorancën të sigurojë mandatin e tretë të saj.
“Në këtë vit politik në Shqipëri ndodhën ato që nuk duhet të ndodhnin, por jo se nuk priteshin si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Nuk u prodhua sinjali i fortë i demokracisë brenda radhëve të PD-së, që presupozohej që në fillim të prodhohej. E gjithë kjo punë e trupës politike, e të gjithë ne demokratëve që dolëm në mes të vapës, në mes të pandemisë, të tentonim të përcillnim vullnetin tonë se kush do të duhej të ishin përfaqësuesit e PD-së në parlament u rrëzua nga vendimmarrja e marrë më shumë se sa nga kryesia, por nga Lulzim Basha. Kjo duhet të ishte një gjë demokratike, por nuk ka asgjë demokratike në përzgjedhjen e grupit të deputetëve si kundër edhe ndodhi për herë të dytë, si në 2017-n. Basha, atëherë, tha se bëra gabim dhe nuk e përsëris më, por nuk e pati problem ta përsëriste edhe këtë radhë.
Në krahun e mazhorancës, unë nuk kam pasur asnjëherë asnjë surprizë. Rama dhe të vetët nuk kanë bërë asgjë të pazakontë për ta. Ata gjithmonë kanë tentuar ta kapin pushtetin në tavolinë në çdo mënyrë. Masakra zgjedhore ka ndodhur përgjatë gjithë 4-vjeçarit dhe ka kulmuar me momentin kur mazhoranca bëri ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor pa pjesëmarrjen e opozitës dhe pa konsensusin e saj. Kam zbuluar se mazhoranca ka ruajtur në mënyrë precize vetëm votat e veta”.
Shano u shpreh më tej se politika zotërohet nga një dorë tashmë dhe PD-ja, në shtator e mbrapa, duhet të tregojë se nuk është pjesë e kësaj dore.
Për Shanon, demokracia shqiptare është një demokraci e negociuar. “Pra, deri më sot, alternimi i pushteteve, alternimi i lidershipeve, negociatat, marrëveshjet, janë pjesë e kësaj negociate. Kjo demokraci e negociuar ka sjellë përfitime vetëm për lidershipet dhe aspak për shqiptarët. Kjo është një gjë që duhet të fillojë të ndryshojë dhe le të nisë të ndryshojë duke zvogëluar LSI-në në përmasën që ajo do të duhet të ketë”.
Por çfarë pritet të ndodhë me Partinë Demokratike nga shtatori? “Unë mendoj se mënyra e qeverisjes së Ramës është sëmundja që e ka pllakosur dhe PD-në unë e shoh si ilaçi. Mua më duhet të merrem me dozën e ilaçit, me komponentët, që ta fus politikën në kimioterapi. Kjo është arsyeja pse unë merren fort me PD-në. PD-ja shkon në shtator në parlament e plagosur nga procesi i zgjedhjes së kryetarit aspak demokratik, nga një kuvend burokratik, aspak i zakonshëm, ordiner. Basha tentoi të varroste problemet e mëdha që ka PD-ja në komunikimin me publikun, në fitimin e zemrës së publikut dhe në demokratizimin e brendshëm të saj. Këto probleme nuk ikin edhe pse ne sot kemi një dokument, manifesti politik, i cili e shëndosh PD-në dhe do ta çonte në shtator si një forcë të rithemeluar dhe për të kontribuar në ato procese që u interesojnë shqiptarëve. Kjo do të duhet të jetë agjenda e PD-së kur të kthehet në kuvend”, u shpreh Shano.
g.kosovari