Reldar Dedja
Sado që është shkruar e folur për anë të ndryshme të frymës së instaluar në Partinë Demokratike në këto tri dekada, përsëri nuk besojmë se janë thënë të gjitha, madje mendojmë se ende nuk është thënë një pjesë e të vërtetave të rëndësishme, të cilat mbeten të fshehura. Drejtuesit e kësaj partie jo gjithmonë dëshirojnë të tregojnë të vërtetën e subjektit politik që kanë qeverisur. Gjithçka çfarë mbetet është ajo çfarë mbajnë në kurriz militantët.
Veçanërisht, këta të fundit, i kemi parë shumë të habitur për atë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy muajve të këtij viti shumë të çuditshëm.
Në moskuptim.
Në habi.
Të çuditur fort.
Me mijëra herë kemi dëgjuar pyetjen: Çfarë po ndodh? Nuk po kuptojmë? Pyetje që na kanë zënë ngusht. Prandaj edhe ngjarjet që demokratët shohin me sy të lirë gjatë jetës së tyre të përditshme, kur ata marrin pjesë ose pësojnë mbi kurrizin e tyre vetë historinë e vendit, pra gjithçka që ndodh empirikisht në jetën e përditshme të tyre, nuk ndodh në mënyrë rastësore.
E gjitha ka një pasojë.
Brenda Partisë Demokratike fillimisht ndodhen disa procese dhe lindën prirje që e zëvendësuan rëndësinë e strukturave partiake, të cilat nga ana e tyre, që në krye të herës përfshinë presione të fuqishme nga rruga dhe nga kutitë e votimit mbi vendimmarrësit politikë, me një model krejt tjetër veprues, deputetët, sekretarët dhe kryetarët e degëve, pra e gjithë kupola e lartë drejtuese e partisë, morën në duar frenat e drejtimit të partisë, duke i lënë përfundimisht simpatizantët dhe militantët në rrugë. Këta të fundit ishin në rrugë dhe mbetën në rrugë. Por dikur ishin në rrugë si protestues, pjesëmarrës në mitingje për demokraci, si zgjedhës, kurse pas 25 Prillit, ata janë në rrugë si të papunë, si lypsarë, si këmbësorë, si hallexhinj.
Në PD-në e Bashës asgjë nuk ka ndryshuar nga PD e Berishës, aq më tepër kur fjala është për pushtetin, madje ky i fundit, bie si breshëri nga lart poshtë mbi supet e atyre që qullen dhe squllen prej tij. Ai nuk arriti kurrë të krijojë një frymë ndryshe nga Berisha dhe aq më tepër një model politik të ndryshëm dhe konkurres me atë që ka krijuar Edi Rama në PS.
PD, si PS është ndërtuar me një vendimmarrje politike që vjen nga lart poshtë. Ku një grusht fare i vogël njerëzish i marrin vendimet, ndonëse ende vazhdon të thuhet mekanikisht se jetojmë në një bashkësi demokratike. Të gjitha pushtetet janë të përqëndruara. Ndërkohë që zgjedhjet e kanë humbur fuqinë e shprehjes. Simpatizanti është përjashtuar nga politika, ai shërben vetëm si dekor në protesta, ndërsa intelektuali nga ana tjetër e ka akoma edhe më të vështirë. Është dënuar të vuajë pafundësisht ose të largohet.
Është për t’u çuditur por historia e Partisë Demokratike nga dita në ditë po vjen të duket aq ngjashme me filmat e parë dokumentarë të pasçlirimit, me njerëz të qeshur, Njerëz të Rinj, që duket sikur vallëzojnë vallen e Jetës së Re me kazma dhe me lopata, nën ritmin e një muzike që shkon në kreshendo. Zëri i spikerit rend të arrijë ritmin e Iumturisë së tyre. Ata punojnë dhe nuk lodhen, sepse për çdo pyetje kanë një përgjigje të gatshme. Nga ata kërkohet punë, punë dhe vetëm punë dhe ata nuk kursehen, sepse besojnë. Besojnë tek “Toka e Premtuar”.
Shumë nga personazhet imagjinarë të atyre filmave jemi ne, familjarët dhe shokët tanë, demokratë të ndershëm e të zellshëm që edhe sot vazhdojnë të punojnë me disa vegime të idealizmit të tyre, edhe pse prej 12 vitesh do jenë të dënuar të sorollaten rrugëve të vendit dhe të Europës, herë si azilantë dhe herë tjetër si punëtorë sezonalë. Është e vështirë për ta të pranojnë zhgënjimin e një realiteti që nuk mbajti premtimet solemne. Përgjigjet e gatshme ka kohë që nuk u mjaftojnë më, jo vetëm për të bindur vetveten, por as shokët që thirren në ndihmë.
Dhe në rrugën e shkurtër të këtyre muajve kemi vënë re se shumë gjëra kanë ndryshuar, por gjithsesi kemi qenë dhe mbetemi po ata demokratë, njerëz të paaftë për t’u bashkuar në momentin e duhur, edhe kur priremi nga të njëjtat qëllime, individualist që vazhdojmë ta mbajmë në të njëjtën lartësi difektin më serioz të kësaj race, që mishërohet në dëshirën për të komanduar dhe në mungesën e gatishmërisë për t’u bindur, individualist që e duam shpesh herë demokracinë si një skenë ku të ngjitemi si personazhe kryesore, e që gjithsesi harrojmë më të rëndësishmen, që asnjeri nga ne nuk është i domosdoshëm për Shqipërinë.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër është se akoma edhe më shumë e parëndësishme për Shqipërinë do të ishte edhe familja jonë politike: Partia Demokratike. Ashtu si në kapërcimin e ylberit, fill pas kapërcimit, matanë ylberit, PD nuk është më ajo e para. Mbi supet e militantëve politikë, simpatizantëve dhe kontributorëve dalngadalë dikush mbledh fuqi, pasion, dinjitet, besueshmëri, autoritet, kapital financiar, lidhje dhe qëndrueshmëri sociale, ndjekës, përvojë, lidhje të jashtme, bën emër, mbledh reputacion, fiksohet në kujtesën kolektive të njerëzve dhe shndërrohet në një individ të fuqishëm.
Eliminon rivalët brenda partisë, lë nën hije dhjetra kapacitete të tjera dhe nëpërmjet një seleksionimi të rreptë ngrihet si një monument i gjallë, si vepruesi përcaktues për tribunën politike të partisë. Në PD prej dekadash është lideri që drejton, sundon, ndërsa militantët dhe aparatet drejtuese nuk janë veçse mekanizma drejtimi që kryetari thejsht i përdor, i zëvendëson, i struktuon apo i mban nën kontroll. Kryetari i partisë është gjithçka ndërsa militantët, simpatizantët, drejtuesit lokalë, anëtarët e forumeve të larta janë në funksion të tij, bëhen, zhbëhen, komandohen nga ai dhe ndjekin vullnetin e tij.
Shkatërrimi përfundimtar i një partie fillon me kryetarin që shndërrohet në bos.
Lulzim Basha nuk ka aftësinë për ta ndryshuar modelin partiak në një model frymëzues, i cili i ikën me vrap modelit arkaik të politikës europiane të fillim shekullit të 20-të, por me çdo kusht tenton që me anë pakicës partiake politike të marrë pushtet dhe të arrijë të përfitojë avantazhe prej tij, të zërë një vend të priviligjuar në ekonomi, të mbledhë pasuri, famë, emër, reputacion, të bëjë miq, vartës, servilë, një ushtri të tërë mbështetësish.
Terreni është akoma edhe më i favorshëm sepse në Shqipëri biznesi është fluid, pasaniku gjithashtu, intelektuali ndodhet në krizë, nënpunësi është i trembur, gazetari i rrënuar, ndërsa krerët e dy partive kryesore kanë gjithçka për ta sunduar Shqipërinë.
Para, pushtet, media, ushtarë dhe servilë.
Partia Demokratike në Shqipëri nuk arriti të jetë kurrë një organizëm vullnetar interesash, idesh, bindjesh politike. Por thjesht një biznes që ndahet mes dy familjeve. Sipërmarrja e madhe, pasi ka grumbulluar kapitale të rëndësishme në tre dekadat e fundit, ndjeu rrezikun e dështimit, falimentimit. Kapitali nga ana e vet, duke qëndruar i pandryshueshëm në skencën sociale, iu desh të negocionte herë më njërën parti dhe herë më tjetrën parti politike. Duke i mbështetur ato financiarisht.
Lulzim Basha, duke e ditur mjaft mirë një gjë të tillë, nëse nuk do të ishte njeriu që do të projektonte këto politika, të paktën ka menduar se mund të luante rolin e katalizatorit në kontratë. Rasti më flagrant është protesta për taksën e Rrugës së Kombit dhe Astirin. Dy protesta që përfunduan në mënyrën më skandaloze të mundshme. Qytetarët shqiptarë mendojnë se dy partitë kryesore politike në vend janë antagoniste në ide, platforma dhe frymë, por e vërteta është se ato janë në luftë se kush do të marrë pjesën më të madhe të luanit në ekonominë e vendit. Kjo është arsyeja pse ato mbyllen, rrudhën dhe bunkerizohen.
Prandaj, PD e ka të pamundur të integrojë sot brenda saj masën e madhe qytetare. Ajo mashtron dhe s’e thotë kurrë të vërtetën pse nuk rritet në asnjë betejë. Pasi vesi i saj është bashkimi i disa tipareve demokratike, me një pluralizëm idesh, elemente të caktuara ligjor dhe me një pushtet autoritar me nota tiranie, por që është një virus me simptoma dhe pasoja të hidhura për familjen tonë politike, për shtetin e shoqërinë.